KFOR-i në veri, 29 maj 2023 Foto: Afrim Ejupi/ KALLXO.com

Formohet grupi që do ta hartojë UA për iniciativën e qytetarëve për ta larguar nga detyra një kryetar komune

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka marrë vendim me 31 korrik për caktimin e Grupit Punues për hartimin e Udhëzimit Administrativ që të caktoj procedurat për iniciativën e qytetarëve që të largohen kryetarët e komunave nga detyra.

Përbërja e këtij grupi punues që do të hartoj Udhëzimin Administrativ për largimin e kryetarëve të komunave, nis me Besim Myrtezajn i cili do të kryesoj grupin, Xhevat Tafa do të jetë zëvendës kryesues, ndërsa Fetije Begolli, Flurim Arifi, përfaqësues nga Zyra e Presidencës, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, përfaqësues nga Ministria e Financave, MPB-së, KQZ-së, Komunat e Kosovës dhe Shoqërisë Civile do të jenë si anëtarë në këtë grup.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com thuhet se ky grup punues do të mbështetet nga kabineti i ministrit Elbert Krasniqi, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, përfaqësuesit e Ambasadave të Akredituara në Kosovë dhe OSBE.

Përgjegjësia e grupit punues është hartimi i Udhëzimit Administrativ për caktimin e procedurave dhe afateve për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve të komunave.

Afati për finalizim të këtij udhëzimi në bazë të dokumentit do të jetë deri më 1 shtator 2023.

Pra ky grup punues do të hartoj udhëzimin i cili do të përdoret tash e tutje për komunat në Kosovë në rast se ka kërkesa të qytetarëve për largimin e një kryetari nga komuna.

Kujtojmë se në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, konkretisht Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan e Mitrovicë veriore, në prill të këtij viti pati zgjedhje të jashtëzakonshme në të cilat dolën fitues katër kandidatë dy nga Lëvizja Vetëvendosje e dy nga Partia Demokratike e Kosovës.

Izmir Zeqiri po udhëheq me Zubin Potokun, Ilir Peci me Zveçanin, Erden Atiq me Mitrovicën veriore ndërsa Lulzim Hetemi me Leposaviqin.

E më 26 maj, nën përcjelljen e policisë, katër kryetarët e komunave me shumicë serbe u vendosën nëpër objektet e komunave gjë që kjo solli edhe protesta madje të dhunshme në Zveçan.

Në tri komunat, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan qytetarë të shumtë protestuan para objekteve komunale që kërkuan largimin e kryetarëve e të njësive speciale nga objektet.

Orët e hershme të mëngjesit të 29 majit, ishte KFOR-i që kishte marrë sigurinë në dorë për të blinduar objektet komunale me rrethoja e tela me xhemba në mënyrë që protestat të mos eskalonin.

Në Zveçan, dhjetëra ushtarë të KFOR-it ishin lënduar madje një ushtari sipas misionit ndërkombëtarë i është amputuar këmba si pasojë e protestave të dhunshme që ndodhën atje.

Për të mos lejuar që një gjë e tillë të ndodhte edhe në dy komunat e tjera, Zubin Potok e Leposaviq, KFOR-i ishte përkujdesur që të dyfishonte trupat dhe rrethojat.

Kryetarët e komunave Zubin Potok e Zveçan vazhduan punën e tyre në objekte të tjera ndërsa ai i Leposaviqit edhe sot vazhdon të jetë brenda hapësirave të komunës.

Shkuarja e kryetarëve të rinj të komunave me shumicë serbe në veri u konsiderua hyrje e dhunshme nga ana e ndërkombëtarëve të cilët vendosën edhe që për këtë çështje ta sanksionojnë Kosovën.

Në tri komunat me shumicë serbe ku pati protesta nga qytetarë e grupe të ndryshme të personave, u regjistruan dhjetëra sulme  ndaj KFOR-it, Policisë së Kosovës, e gazetarëve.

Pesë persona ishin arrestuar për këto sulme e disa prej tyre më pas janë liruar në procedurë të rregullt për tu hetuar në liri.

Në ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të organizojë zgjedhjet në veri ‘sa më shpejtë’.

Bashkimi Evropian i ka vlerësuar takimet e fundit në Bruksel mes të dërguarit të lartë për dialog Miroslav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq si “të vështira” dhe se ato “nuk kanë prodhuar rezultate të menjëhershme”.

Në anën tjetër pas disa kërkesash nga ndërkombëtarët që Kosova dhe Serbia të punojnë në shtensionim të situatës, Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij është e interesuar për zgjedhjet e parakohshme në katër komunat serbe, sa më parë.

Por sipas tij, duhet të sigurohet së pari që ndërprerja e mandateve e kryetarëve aktual të ketë mbështetjen ligjore dhe procedurale.

“Duhet të sigurohemi që procesi i tillë të jetë i sigurtë dhe i pasfidueshëm në kuptim legal e juridik. Nuk e di sa kohë merr, por si vullnet politik nga qeveria i Kosovës, jam i interesuar sa më parë e sa më shpejt” – ka deklaruar Kurti para gazetarëve.