Foto ilustruese

Emërohen gjyqtarët mbikëqyrës të Gjykatës së Prishtinës – dega në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e 317-të, gjatë të cilës, ndër të tjera, është votuar për emërimin e gjyqtarëve mbikëqyrës në degët e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Fushë-Kosovë dhe Graçanicë.

Kështu, gjyqtarja e Departamentit Special, Suzana Qerkini, me shumicë votash u emërua gjyqtare mbikëqyrëse në degën e Gjykatës në Fushë-Kosovë.

E njëjta pasi që është e ngarkuar me pozitën e gjyqtares në Departamentin Special do të marrë detyrën e re nga 1 janari i vitit 2024 ndërkaq do të vazhdojë të jetë e angazhuar si gjyqtare speciale për lëndët ku është kryesuese e trupit gjykues.

Për këtë pozitë kandidat ishte edhe gjyqtari Jeton Krasniqi.

Ndërkaq për degën në Graçanicë kandidatë ishin gjyqtarja Liljana Maksimoviq dhe gjyqtari Sinisha Borisavleviq, ku pas procedurës së votimit ky i fundit rezultoi me shumicë votash dhe u emërua për pozitën e gjyqtarit mbikëqyrës.

Borisavleviq merr detyrën nga sot, data 27 nëntor, pasi që i njëjti veçse mban pozitën e udhëheqësit të detyrës së gjyqtarit mbikëqyrës në po këtë gjykatë.

Gjyqtarja Qerkini dhe gjyqtari Borisavleviq do të mbajnë këto pozita për një mandat 5-vjeçar.