Emërimi i sekretarit të Ministrisë anëtar i bordit të SHSKUK-së nuk vlerësohet konflikt interesi nga Agjencia Kundër Korrupsionit

Agjencia Kundër Korrupsionit nuk e ka vlerësuar si konflikt interesi emërimin e Sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë si anëtar të bordit drejtues të SHSKUK-së.

Kështu tha sot ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i pyetur në konferencë për media.

Sekretari i MSH-së, Naim Bardiqi, është emëruar anëtar i këtij bordi më 26 prill dhe është zgjedhur kryesues i tij më 3 maj.

“Sipas statutit të SHSKUK-së nevojiten disa përfaqësues nga disa institucione për bordin e SHSKUK-së dhe një nga ata përfaqësues është përfaqësues nga stafi civil në MSH. Unë kam dërguar pyetje për sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë Naim Bardiqi nëse është konflikt interesi apo jo, për shkak të pozitës që mban” – tha sot ministri.

KALLXO.com ka dërguar kërkesë në Agjencinë Kundër Korrupsionit për qasje në këtë përgjigje të saj dhënë Ministrisë, por deri në publikimin e këtij artikulli, AKK nuk ka kthyer përgjigje, as qasje.

Vitia tha se kjo është edhe arsyeja pse është vonuar zgjedhja e bordit.