Dyshohet se mashtroi qytetarët me 12 mijë euro përmes kriptovalutave në Ferizaj, Prokuroria kërkon paraburgim ndaj të dyshuarit 

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi, i cili dyshohet se bashkë me dy persona të tjerë ka mashtruar disa qytetarë përmes një skeme me kriptovaluta, duke u marrë mbi 12 mijë euro.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, V.N. dyshohet për veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa ndaj tij është kërkuar paraburgim pasi njoftohet se kishte arritur të arratisej gjatë aksionit të mëhershëm të policisë në prill, kur ishin ndaluar dy të dyshuarit e tjerë A.L. dhe R.J.

Prokuroria bën të ditur se rasti ka ndodhur më 17.04. 2026, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj. 

Të dyshuarit, në bashkëveprim me njëri-tjetrin dhe duke përdorur emra të rremë, dyshohet se kanë mashtruar të dëmtuarit E.F., A.F. dhe Rr.K., duke u prezantuar si posedues të kriptovalutës USDT.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin marrë me qira një lokal ku kishin organizuar takimin me viktimat, me premtimin se do t’ua transferonin kriptovalutat përmes një “ëallet”-i digjital. Mirëpo, pasi kishin marrë shumën prej 12 mijë eurosh, ata ishin larguar në drejtim të panjohur.

Prokuroria njofton se më pas është zbuluar se të dyshuarit dyshohet se planifikonin ta përsërisnin të njëjtën skemë mashtrimi edhe në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik.

“I pandehuri që nga data 07 Maj 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjenden nën masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale të lartëcekur”- thuhet tutje në njoftimin e lëshuar më 08.05.2026.