Dyshohet për keqpërdorim të kartelave bankare, në pranga i dyshuari

Një person është arrestuar sot, më 12.2.2024, nga Policia e Kosovës nën dyshimin se është përfshirë në kryerjen e dy veprave penale.

Sipas Policisë, i arrestuari dyshohet se është përfshirë në veprat penale – lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit, dhe – hyrje në sistemet kompjuterike.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, tha për KALLXO.com se personi i arrestuar sot me urdhër të prokurorit të rastit është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejme ligjore.

Tutje u tha se Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e veprave penale në përgjithësi dhe luftë e pa kompromis do te zhvillohet edhe ndaj të gjithë atyre që keqpërdorin apo qasen në mënyrë të paautorizuar në pajisjet apo sistemet kompjuterike e që janë të ndaluara me ligjet në fuqi.