Kartela bankare, Foto: Pixabay

Punëtori i një dyqani në Prishtinë dyshohet se vodhi të dhënat e kartelave bankare të klientëve

Një punëtor i një dyqani në Prishtinë përfitoi mbi 5 mijë euro, pasi dyshohet se ka vjedhur të dhënat e kartelave bankare të klientëve, të cilët kanë bërë blerje në dyqanin ku i dyshuari ka punuar si përgjegjës i ndërrimit.

Këto të dhëna i njëjti dyshohet se i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, të cilat më pas i ka shitur.

Rasti është bërë i ditur nga Prokuroria e Prishtinës, e cila ka njoftuar se personi i dyshuar është ndaluar.

Sipas Prokurorisë, personi dyshohet se ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Tutje njoftohet pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe sigurimit të provave, fillimisht policia ka arrestuar të dyshuarin A.S., në vendin e tij të punës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.

Prokuroria thekson se me urdhër të prokurorit është sekuestruar një pajisje elektronike (telefon) me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

“Prokurori i Shtetit në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore, si dhe ndaj të dyshuarit do të vazhdohet me veprimet procedurale”, përfundon komunikata.