Dyshimet për sulm ndaj politikanit serb në Gazimestan, suspendohet një kameraman

Kameramani i gazetës online “Nacionale”, Albion Selitaj është suspenduar nga detyra e tij në vendin e punës nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht politikanin serb Aleksandar Arsenijeviq.

Arsenijeviq nga partia “Demokracia Serbe” dyshohet se është sulmuar të premten e kaluar, më 29.06.2024, në Gazimestan.

Arsenijeviq po atë ditë publikoi një video në profilin e tij në Facebook në të cilën shihet ngjarja se si është zhvilluar.

Video dëshmon së në afërsi ku dyshohet se ka ndodhur sulmi kanë qenë prezent edhe disa zyrtarë policor.

Ky rast që ndodhi në ditën e festës religjioze ortodokse ‘Vidovdan’, është duke u hetuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Në një përgjigje për KALLXO.com, IPK ka thënë se lidhur me këtë rast kanë pranuar një ankesë.

“Inspektorati Policor i Kosovës ju konfirmon se lidhur me këtë rast ka pranuar një ankesë gjatë fundjavës. Rasti është në fazat fillestare të trajtimit në Departamentin për Menaxhimin e Ankesave të IPK-së” – thuhet në përgjigje.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me gazetën Nacionale lidhur me këtë rast. Nga kjo gazetë kanë thënë se në ditën kur ka ndodhur rasti ai është suspenduar nga detyra e tij.

“Në ditën kur është publikuar video (ditën kur ka ndodhur ngjarja) dhe kemi kuptuar për incidentin, kameramani në fjalë është suspenduar nga puna, deri në një vendim të gjykatës” – thuhet në përgjigjen e medias.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Asociacionin e Gazetarëve në Kosovë për të marr një qëndrim nga ana e tyre, mirëpo deri më tani të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje.

Detaje shtesë janë kërkuar edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Edhe nga Prokuroria nuk është dhënë ende ndonjë përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

Në anën tjetër, në raportin 24 orësh të datës 30.06.2024 Policia e Kosovës ka njoftuar se për këtë ngjarje është iniciuar rast për veprën penale “Sulm”.

PK ka thënë se lidhur videon e publikuar në rrjete sociale, në të cilën sipas Policisë shihen dy persona duke u kacafytur në mes veti, njësiti i hetimeve më datë 29.06.2024 ka intervistuar të dyshuarin  dhe ankuesin.

Policia tha se me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt.

Në një video në rrjete sociale u panë duke u kacafytur dy persona, Policia i interviston