Shtyhet gjykimi ndaj dy të akuzuarve për korrupsion
Shqyrtimi gjyqësor i paraparë të mbahej sot më 03.07.2024 në Gjykatën e Prishtinës ndaj dy të akuzuarve për korrupsion, Ardian Jonuzajt dhe Agron Limanit është shtyrë.
Ardian Jonuzaj akuzohet nga Prokuroria për tri vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe falsifikim i dokumentit zyrtar. Agron Limani akuzohet për dy vepra penale: Dhënia e ryshfetit dhe falsifikim i dokumentit.
Mungesa e avokatit të të akuzuarit Ardian Jonuzaj, Afrim Shabani, bëri që kjo seancë të mos mbahej ashtu siç ishte planifikuar.
Kryetarja e trupit gjykues, Alltëne Murseli konstatoi se nuk ka kushte për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.
Seanca e radhës u caktua për datën30.09.2024.
Dy të akuzuarit e kanë mohuar se kanë kryer këto vepra penale.
Aktakuza është ngritur më 29.03.2019 ndaj të pandehurve Ardian Jonuzaj dhe Agron Limani.
Ardian Jonuzaj në cilësinë e zyrtarit të shërbimit të studentëve në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, akuzohet nga Prokuroria për tri vepra penale: Keqpërdorimi i pozitës zyrtare, marrje ryshfeti dhe falsifikim i dokumentit zyrtar. Agron Limani në cilësinë e studentit akuzohet nga Prokuroria për dy vepra penale: Dhënia e ryshfetit dhe falsifikim i dokumentit. Sipas Prokurorisë, Ardian Jonuzaj dyshohet se më 20.03.2018 e kishte pajisur të akuzuarin Agron Limani me dy certifikata: Certifikatën e notave dhe certifikatën e diplomës.
Sipas Prokurorisë, këto dy dokumente që janë lëshuar nga i akuzuari Ardian Jonuzaj dalin të jenë të falsifikuara me qëllim që Agron Limani të pajiset me diplomë universitare.
Tutje Prokuroria thekson se Agron Limani i kishte dhënë ryshfet të akuzuarit Jonuzaj në vlerë prej 5 mijë euro me qëllim që të pajisej me certifikatat në fjalë.