Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ministria e Jashtme i vonoi përtej afatit ligjor pesë pagesa për shërbime postare diplomatike

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), i ka vonuar 24 deri në 40 ditë përtej afatit të lejuar ligjor pesë pagesa për shërbime postare diplomatike në vlerë të përbashkët prej 8,900 euro.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka vënë në pah këtë gjetje në raportin e paqyrave financiare të kësaj ministrie për vitin 2023.

Sipas Auditorit, vonesat në pagesën e faturave kishin ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve të brendshme nga ana e Ministrisë.

Bazuar në këtë, ZKA vlerëson se vonesat në kryerjen e pagesave të faturave krijojnë implikime buxhetore për vitin fiskal vijues, ku përveç pagesave të faturave, Ministria mund të jetë edhe pjesë e padive nga Operatori Ekonomik “si rezultat i vonesave të mëdha në kryerje të obligimeve të saj”.

Bazuar në Ligjin Nr.03/L-048, neni 39.1 përcaktohet se çdo faturë e vlefshme për punët e realizuara për organizatën buxhetore duhet të paguhet brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës.

Meqë një gjë e tillë nuk është respektuar nga MPJD, ZKA ka rekomanduar që ministrja Donika Gërvalla- Schwarz duhet të siguroj një kontroll efektiv të obligimeve që rrjedhin nga aktivitetet e Ministrisë në mënyrë që të gjitha faturat e pranuara të paguhen brenda afatit të përcaktuar ligjor për të shmangur penalizimet për shkak vonesave.

Sipas opinionit të ZKA-së, auditimi i pasqyrave financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës është bërë për vitin e përfunduar më 31 Dhjetor 2023.

Gjatë auditimit, ZKA vë në pah se ka vërejtur fusha për përmirësim të mundshëm, përfshirë kontrollin e brendshëm.  Sa i përket menaxhimit financiar, edhe pse janë vërejtur përmirësime në raport me vitet paraprake, ZKA ka rekomanduar që duhet t’i kushtohet vëmendje e shtuar çështjes së avanceve të hapura dhe të paarsyetuara të bartura nga vitet paraprake si dhe regjistrimit të plotë të shpenzimeve. 

ZKA ka rekomanduar që të forcohen kontrollet në raportimin e obligimeve të papaguara me qëllim të evitimit të gabimeve në shpalosje si dhe ekzekutimi i pagesave të bëhet nga kategoritë ekonomike adekuate në përputhje me natyrën e shpenzimit.