Bashkim Ramosaj, Kryetar i Deçanit. Foto: Atdhe Mulla

Komuna e Deçanit angazhon me 'kontratë mbi vepër' 51 punonjës në kundërshtim me ligjin

Gjatë vitit 2023, kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj me vendim angazhoi 51 punonjës për shërbime të veçanta apo me kontratë mbi vepër siç njihej më herët.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se për këta punonjës, Komuna nuk kishte zhvilluar procedurë të rekrutimit e as procedura të prokurimit. Angazhimi i tyre ka ndodhur me vendime të kryetarit të Komunës.

Sipas ZKA-së, punonjësit nuk janë angazhuar për shërbime të veçanta, por për pozita të rregullta të punës dhe buxhetit të komunës i kushtuan 204 mijë e 660 euro pagesat për ta gjatë vitit 2023.

Kjo çështje në vazhdimësi trajtohet në raportet e auditimit.

Tutje në raport thuhet se angazhimi me kontrata për një detyre specifike me afat më të gjatë kohë dhe pa procedura është në kundërshtim më legjislacionin përkatës.

41 nga 51 punonjës u angazhuan në administratën e komunës, në zyrën e kryetarit dhe drejtori të ndryshme, 8 në shëndetësi dhe 2 në arsim.

Për 41 prej këtyre punonjësve vendimi ishte me kohë të caktuar prej gjashtë muajsh, kurse për dhjetë të tjerë kishte vendim deri në përfundim të mandatit të kryetarit.

“Me datë 21.07.2023 Kryetari ka nxjerrë vendimin nr. 02/2023 për ndërprerjen e të gjitha kontratave dhe vendimeve të punëtorëve të angazhuar për shërbime të veçanta. Ndërkohë nga muaji gusht janë nxjerr 27 vendime tjera për angazhim të punonjësve, 21 prej të cilëve ishin angazhuar edhe për një periudhë gjashtë mujore, dhe 6 (gjashtë) prej tyre për periudhën deri në fund të mandatit të kryetarit” – thuhet mes tjerash në raportin e ZKA-së për Deçanin.

Punonjësit u angazhuan në pozitat: inspektor i ndërtimeve; këshilltar për media elektronike; asistente administrative; vozitës i ndihmës së shpejtë në QKMF; zyrtar për pranimin e mallit; dhe inspektor i veterinarisë.

ZKA tregon se punonjësit vazhdojnë të jenë të angazhuar edhe në vitin 2024.

Kjo sipas ZKA-së rrit rrezikun e angazhimit të stafit jo kompetent dhe eliminon konkurrencën dhe barazinë.

Komuna e Deçanit është pajtuar me gjetjen e ZKA-së.

“Kryetari duhet të sigurojë aplikimin e procedurave të prokurimit për angazhimin e stafit për MShV. Si dhe, të sigurojë se kjo formë e angazhimit aplikohet vetëm për punë specifike dhe vetëm atëherë kur kërkesat janë të arsyeshme nga njësitë kërkuese” – është rekomandimi i ZKA-së.

Deçani ka pranuar opinion të kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Opinioni i kualifikuar formulohet kur janë zbuluar keq-deklarime dhe/ose mos-pajtueshmëri, qoftë një i vetëm apo një grumbull, që janë të barabartë me ose e tejkalojnë nivelin e materialitetit për pasqyrat financiare si tërësi; ose kur keq-deklarimi dhe/ose mos-pajtueshmëria e zbuluar brenda një klase të caktuar transaksionesh është i barabartë me ose tejkalon nivelin e materialitetit më të ulët të vendosur për këtë klasë të transaksioneve. Formulohet gjithashtu nëse ka kufizim të fushëveprimit, i cili mund të mos shpie në shmangie të keq-deklarimit(eve) material(e).

Në raportin e ZKA-së është bashkëngjitur edhe letra e konfirmimit të kryetarit të Deçanit i cili pajtohet me gjetjet dhe thotë se nuk ka komente shtesë.

Për vitin 2022, Deçani kishte marr 17 rekomandimet kryesore, prej tyre tetë janë zbatuar kurse për 9 të tjera nuk ka filluar zbatimi.

Raportin e plotë të Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2023 me të gjitha gjetjet dhe rekomandimet për Komunën e Deçanit mund ta lexoni në këtë LINK.