Kurti me disa ministra bënë homazhe në Tiranë në nderim të Ismail Kadaresë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe në ceremoninë shtetërore të lamtumirës në Tiranë në nderim të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare.

Kurti vendosi kurorë me lule te arkivoli i Kadaresë, në ceremoninë që u mbajt në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor në Tiranë, më 03.07.2024.

Në Librin e Zisë, kryeministri Kurti shkroi “Pikëllimi është i thellë sepse admirimi është i lartë. Historia (me gjithë mitet), politika (me gjithë intrigat), gjuha (me gjithë bukurinë) me romanet dhe poezitë e Ismail Kadaresë u bënë dije dhe vetëdije për popullin tonë. Lum ne që e patëm, kaq shumë. Vepra e tij do të rrojë gjatë, jo vetëm për ne”.

Në këtë cermoni Kurti  ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, bashkë me ministra dhe zëvendësministra të kabinetit qeveritar.

Më 03.07.2024 i jepet lamtumira e fundit shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i cilësuar si kolosi i letërsisë shqipe që futi Shqipërinë në hartën botërore letrare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e mërkurë, 03.07.2024, të shpallet ditë zie shtetërore, në nderim të kolosit të letrave shqipe, shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.

Ndërsa Qeveria e Shqipërisë i ka shpallur dy ditë zie, më 2 dhe 3 korrik, në nderim të të ndjerit Ismail Kadare, shkrimtarit shqiptar që vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare.

Kadare vdiq të hënën në Tiranë nga një “arrest kardio-respirator”, thanë mjekët shqiptarë.

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër – një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë. Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.

Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.Shumë prej tyre kanë qenë të ndaluar në Shqipërinë komuniste – ndër to edhe “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare shtjellon marrëdhënien pushtet-individ.