Akademia e Shkencave dhe e Arteve: Kadare ka dhënë kontribut të gjithanshëm për Kosovën
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka mbajtur një mbledhje komemorative për të nderuar shkrimtarin e njohur shqiptar Ismail Kadare i cili vdiq më 01.07.2024, në Tiranë.
Akademikët kosovarë thanë gjatë kësaj mbledhje më 03.07.2024, se Kadare ka merita të veçanta dhe ka dhënë një kontribut të gjithanshëm për Kosovën, qoftë në atë letrar ashtu edhe politik.
Sipas tyre, Kadare ka meritë të madhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës. Po sipas tyre, vepra letrare e Kadresë ka luajtur një rol emancipues për kosovarët.
Akademik Mehmet Kraja, kryetar i AShAK-ut, tha se Kadare është emblemë e letërsisë shqipe.
“Zëri i tij pavarësisht nëse vinte qoftë nga vokacioni letrar ose politik, për kosovarët ka qenë zë integrues. Me këtë angazhim të gjatë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadare është shfaqur i tërësishëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur me një gjuhë të qartë dhe kulturore ndërkohë që me kosovarët ka ditur të jetë kritik madje i ashpër duke kërkuar prej tyre që të ballafaqohen me sfidat dhe të jenë në nivel të qasjes historike të Kosovës”- tha ai.
Kurse, akademiku Sabri Hamiti tha se Kadare është romancieri më i njohur dhe më i rëndësishëm i letërsisë shqipe. Ai tha se Kadare është çmuar dhe vlerësuar në Kosovë dhe se kompleti i veprave të tij së pari është botuar në Prishtinë.
“Duhet të kihet parasysh se koleksioni i parë i veprave të zgjedhura të Kadaresë në shqip është botuar së pari te ‘Rilindja’, parathënia e koleksioni është bërë nga Ibrahim Rugova i cili veprën e këtij shkrimtari e cilëson si fati i dhembjes universale’”- tha akademik Hamiti, duke numëruar edhe veprat kryesore të kolosit letrar.
Edhe akademik Rexhep Ismajli tha se gjatë fjalës së tij se Kadare ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për Kosovën.
“U përfshi ndjeshëm në përpjekjet e Kosovës për lirinë e saj dhe e përjetoi me ndjeshmëri çlirimin dhe pavarësimin e saj”- ka Ismajli.
Për të nderuar figurën e Kadaresë e mërkura është ditë zie në Kosovë.
Shkrimtari Ismail Kadare ka vdekur më 01.07.2024, në moshën 88-vjeçare në Tiranë.
Kadare u varros më 03.07.2024 në një ceremoni familjare në kryeqytetin shqiptar.
Veprat e Kadaresë u përkthyen në më shumë se 45 gjuhë të botës.