Pritet të ngritet kallëzim penal ndaj tre të dyshuarve për dhunimin e një gruaje në Suharekë
Tre persona janë arrestuar, pasi janë të dyshuar për dhunimin e një gruaje në fshatin Budakovë të Suharekës, ndaj të cilëve pritet të ngritet kallëzim penal për veprën penale “dhunim”- njoftoi Policia e Kosovës më 03.07.2024.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Vesel Gashi thotë se më datën 02.07.2024 në Stacionin Policor Suharekë, viktima grua ka raportuar se në fshatin Budakovë, Suharekë, është sulmuar fizikisht dhe dhunuar nga dy persona të panjohur.
Gashi bën të ditur se viktima është dërguar për ekzaminim mjekësor.
Fillimisht, sipas zëdhënësit Gashi, për rastin janë njoftuar njësiti i hetimeve rajonale në Prizren të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore në drejtim të zbardhjes së këtij rasti.
Më pas, në lidhje me rastin janë arrestuar tre burra të cilët pas intervistimit me urdhër të Prokurorit të Shtetit dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa i dyshuari i tretë është liruar në procedurë të rregullt gjyqësore.