Foto: KFOR/Junik
KFOR dhuron pajisje zjarrfikëse për stacionin e Junikut
Ushtarë të misionit të KFOR-it në Kosovë kanë dhuruar pajisje për zjarrfikje dhe shpëtim për stacionin e zjarrfikësve të Komunës së Junikut.
Sipas njoftimit të datës 27.05.2026, ky donacion synon të forcojë kapacitetet operative të Njësisë së Zjarrfikësve dhe të përmirësojë aftësinë e saj për reagim më të shpejtë dhe më efikas ndaj zjarreve dhe ndërhyrjeve të tjera emergjente.
KFOR thekson se iniciativa të tilla janë pjesë e angazhimit të vazhdueshëm për bashkëpunim me institucionet dhe partnerët lokalë, me qëllim të krijimit dhe ruajtjes së një mjedisi të sigurt dhe stabil për të gjithë qytetarët e Kosovës, duke vepruar në mënyrë transparente dhe të paanshme.
“KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si institucione të sigurisë”- thuhet në njoftimin e lëshuar më 27.05.2026.