Foto: Forca e Sigurisë së Kosovës

Dy ushtarakë nga Kosova diplomojnë në Akademitë Ushtarake në Turqi

Dy ushtarakë nga Kosova kanë diplomuar në Akademitë Ushtarake në Turqi, për t’u kthyer dhe për të dhënë kontributin e tyre në ngritjen dhe avancimin profesional të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky shkollim, siç thotë FSK, është realizuar falë bashkëpunimit të saj me Turqinë, vend në të cilin një numër i madh i pjesëtarëve kanë ndjekur shkollime dhe trajnime në fusha të ndryshme të edukimit ushtarak.

Sipas njoftimit të FSK-së, Edison Murtezi, nëntoger ka diplomuar me sukses të lartë në Universitetin e Mbrojtjes Nacionale, në Akademinë Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë.

Ndërsa, Sylejman Dalloshi, ka përfunduar me sukses Kolegjin profesional të Nënoficerëve të Forcave Tokësore.

“OF1 Edison Murtezi dhe OR3 Sylejman Dalloshi përfunduan me sukses të lartë shkollimin e tyre në Republikën e Turqisë, duke përfaqësuar kështu shtetin e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në mënyrën më të mirë, duke treguar rezultate të larta gjatë shkollimit” – thuhet në njoftimin e FSK-së.

Në ceremoninë e diplomimit të oficereve kanë marrë pjesë edhe presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ministri turk i Mbrojtjes Nacionale, Yasar Guler dhe atasheu i Mbrojtjes nga Kosova në Republikën e Turqisë.

Foto: FSK/FACEBOOK
Foto: FSK/FACEBOOK
Foto: FSK/FACEBOOK