Durmishi i bindur se tenderi nuk ka shkelje ligjore, OSHP-ja e konfirmon se është duke trajtuar ankesën

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, është shprehur i bindur se në tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë nuk ka shkelje ligjore.

Në emisionin “Kallxo Përnime” është duke u transmetuar hulumtimi për tenderin për rrugën Prishtinë-Podujevë.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Në rastin konkret, Hysen Durmishi pretendon se nuk ka pasur ankesë në OSHP dhe rrjedhimisht, sipas tij, nuk është dashur që të bllokohet tenderi.

Në anën tjetër, OSHP-ja e ka konfirmuar për KALLXO.com se ka pranuar ankesën nga kompania ‘Sallahu’ dhe është duke e trajtuar atë.

“Për çdo ankesë që shkon në OSHP, ata e caktojnë një ekspert mandej e merr vendimin bordi i OSHP-së… Por nuk është blloku, sepse si i kemi ngarku ne kontratat. Me u blloku sistemi ne e kemi të pamundur me i ngarku kontratat. Ju kontratat i keni në e-prokurim, pra nuk është blloku sepse anëtarët të cilët kanë të drejtë me bo ankesë bojnë së pari në shkallën e parë. Dhe kur përfundon shkalla e parë masnej shkohet në OSHP.  Nuk mund të bësh ankesë direkt në OSHP” – është shprehur Durmishi.

Ai ka thënë se nëse OSHP-ja merr ndonjë vendim në lidhje me ankesën, sipas tij, bën shkelje ligjore.

“Po nuk mund ta vazhdojë. Në qoftë se OSHP-ja merr ndonjë vendim duke u bazu në kërkesën e ‘Sallahut’, OSHP-ja bën shkelje ligjore. Shkelje të Ligjit të prokurimit publik. Dhe unë si me thanë kam shpresa që OSHP nuk bjen në kësi lajthitje sepse janë institucion shumë i rëndësishëm i Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur të drejtë me bo ankesë në shkallë të parë kompania ‘Sallahu’, ka pasur të drejtë kompania ‘Salillari’, ose konkretisht personi i autorizuar Lulzim Salilari. Askush tjetër. Nuk e kanë bërë një gjë të tillë” – ka thënë zëvendësministri.

Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratat për tenderin për rrugën Prishtinë – Podujevë, duke pasur ankesë aktive në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), institucion i cili merret me ankesat e kompanive që aplikojnë nëpër tenderët e institucioneve publike.

Ligji i Prokurimit Publik e përcakton se në momentin kur një kompani pjesëmarrëse në tender dorëzon ankesë në OSHP, procedura e tenderimit bllokohet dhe institucioni që ka hapur tenderin nuk ka të drejtë të vazhdojë dhënien apo nënshkrimin e kontratës.

Vlera totale e kontratave është 35 milionë euro, ndërsa njërin LOT të këtij tenderi në vlerë mbi 8 milionë euro e ka fituar kompania ‘Bageri’, pronarin e të cilit zëvendësministri Durmishi e ka pranuar se e ka shok. Megjithatë, Durmishi e mohon se ka pasur ndikim që ‘Bageri’ të fitojë këtë LOT të tenderit.