Drejtori fshehu aktakuzën, ministri Peci obligon punonjësit t’i dorëzojnë dokumentet për verifikim të së kaluarës kriminale

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka obliguar të gjithë punonjësit e kësaj ministrie që të dorëzojnë vërtetimet policore për verifikimin e të kaluarës dhe certifikatën e Gjykatës mbi procedurën apo dënimet penale.

Kjo pasi një nga drejtorët e kësaj ministrie ka arritur që të fshehë një akuzë që atij i është ngritur që nga viti 2020.

Kështu të paktën kanë thënë nga Ministria e Bujqësisë në një përgjigje për KALLXO.com.

”Shkak i një kërkese të tillë është se një drejtor i caktuar në Ministri kishte arritur ta fshehë aktakuzën e ngritur kundër tij nga viti 2020” – ka thënë Leonora Arifi nga kjo ministri.

Ajo tutje tha se ministri Peci është i përkushtuar në zbatimin e Ligjit për Zyrtarët Publik, ligj ky i cili ka hyrë në fuqi më datën 18 shtator 2023.

Po ashtu ajo tha se kërkesa është e bazuar në ligjin e lartpërmendur.

Sipas saj, nenin 69, pika 1.5 e Ligjit për Zyrtarët Publik thotë se pezullimi sipas detyrës zyrtare ndodh nëse ndaj nëpunëses/it civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksioneve të saj/tij.

Arifi gjithashtu tha se për zbatimin e kësaj kërkese është e thirrur Njësia e Burimeve Njerëzore pranë MBPZhR-së.

“Ata bazuar në nenin 18 janë të obliguar të zbatojnë në përpikmëri 4 pikat e këtij neni që kanë të bëjnë me ruajtjen, administrimin, përpunimin (përditësimin/update) dhe menaxhimin e dosjes individuale për secilin zyrtar veç e veç në pajtim me Ligjin përkatës për Mbrojtjen e të dhënave Personale” – tha Arifi.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën që ministri ia ka bërë punonjësve të Ministrisë, aty thuhet se afati kohorë për zbatimin e kësaj urdhërese është 10 ditë.