Drejtorët e shkollave, anëtarë të LDK-së në Pejë

Drejtorët e shkollave - të LDK-së, kryetari Muhaxheri thotë se ka edhe të partive të tjera

Në Pejë, të jesh drejtor shkolle e të jesh edhe anëtar i LDK-së, është shumë normale.

Disa prej drejtorëve që ne i kemi kontaktuar vetë e kanë pranuar që janë pjesë e LDK-së si anëtarë të thjeshtë.

Anëtarë të LDK-së janë drejtorët e shkollave: “Fan Noli” në Kryshec, “Asdreni” në Pejë, “Smajl Hajdari” në Pejë e “Migjeni” në Gllogjan të Pejës.

Drejtorët e shkollave, anëtarë të LDK-së në Pejë

Një hulumtim i KALLXO.com  zbulon se të paktën katër drejtorë shkollash janë edhe pjesë e partisë e cila është në pushtet, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vetë drejtorët e shkollave e kanë pranuar se janë pjesë e partisë së kryetarit Gazmend Muhaxheri. Madje, disa nga ta ndihen edhe krenarë që janë pjesë e LDK-së.

“Po, po (jam pjesë e LDK-së), prej fillimit, që 30-40 vjet. Jam anëtar dhe aktivist kam qenë një kohë të gjatë. Jam anëtar i degës në Pejë i LDK-së. Po, jam drejtor në shkollën “Fan Noli”, jam drejtor prej 2014-tës”, ka thënë Canë Gashi, drejtor në shkollën “Fan Noli” në Krushec.

Pjesëmarrës nëpër aktivitetet e LDK-së shihet që është edhe Atdhe Krasniqi, drejtori i shkollës fillore “Pjetër Budi” në Poqestë. Ai fillimisht ka thënë se nuk është pjesë e ndonjë partie.

“Jo, nuk jam pjesë e LDK-së, ka mujt fotografia në shkollë se aty vijnë”, ka thënë ai.

Por, fotografitë e Krasniqit së bashku me kryetarin Muhaxheri tregojnë se ai ishte i pranishëm në festimin e 29-vjetorit të LDK-së, në njërin prej hoteleve në qendër të Pejës.

Pjesë e aktiviteteve dhe anëtare e thjeshtë e LDK-së, dega në Pejë, është edhe Agime Lajqi, drejtoreshë e shkollës “Asdreni” në Pejë.

“Nuk është e nevojshme me ju tregu unë juve se ku jam e çka bëj unë… Po, po, unë jam anëtare e LDK-së, me krenari e them që jam anëtare e LDK-së dhe jam qysh në kohën e presidentit. Unë jam drejtoreshë në shkollën “Asdreni” i dyti mandat, i bie që 6 vite. Udhëzimi Administrativ e thotë që mos me qenë udhëheqëse e ndonjë grupacioni politik, në këtë rast me qenë si anëtare nuk bjen ndesh me Udhëzimin Administrativ, por vetëm nëse udhëheq”, ka deklaruar ajo.

 

Anëtar i LDK është edhe Zekë Muqkurtaj, drejtor në shkollën “Smajl Hajdari” në Pejë.

“Anëtar i thjeshtë po. Pozitë udhëheqëse nuk kam pasë asnjëherë. Drejtor i shkollës jam që një vit, prej majit. Nuk jam favorizuar që të bëhem drejtor, vetë kolektivi i shkollës më ka propozuar për drejtor shkolle”, ka deklaruar ai.

Ndërsa, Bajram Kelmendi, drejtor në shkollën fillore “Migjeni”, Gllogjan të Pejës ka thënë se është vetëm simpatizant.

“Jo, nuk jam anëtar, vetëm aktivist, e simpatizoj LDK-në. Që katër vjet jam drejtor shkolle. Nuk ka ndikuar partia që të zgjidhem drejtor, atëherë nuk ka pasur diçka ashtu”, ka deklaruar ai.

Gazmend Muhaxheri, kryetari Komunës së Pejës ka thënë se nuk janë vetëm të LDK-së drejtorët e shkollave. Ai ka përmendur edhe drejtorët e shkollave të tjera të partive të tjera.

“Janë 36 shkolla, u dashtë me i pyet edhe të tjerët, janë drejtorë të Aleancës, janë 4-5 janë të Aleancës, është drejtori i Vetëvendosjes në shkollën e Artit e plot të tjerë. Qikjo është korrekte, me i qitë, me pa që nuk i kemi zgjedh politikisht”, tha Muhaxheri në emisionin “Jeta në Komunë”.

Një hulumtim më të gjatë për Komunën e Pejës mund ta lexoni KËTU.