Ilustrim

Dosja e Prokurorisë ndaj policit të akuzuar për vrasjen e kolegut të tij në një aheng

Fatlum Mehmeti po akuzohet se me dashje evantuale e ka privuar nga jeta duke e qëlluar me armë kolegun e tij, policin 27-vjeçar Lirim Haxhollin, ku edhe kishte mbetur i vrarë natën e 18 shkurtit në një aheng privat të organizuar nga disa zyrtarë policorë.

Dosja e prokurorisë përshkruan se i ndjeri Haxholli ishte qëlluar në regjionin e krahut të djathtë duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse.

Sipas të njëjtës dosje të siguruar nga Kallxo.com, i akuzuari pjesëtar i Policisë së Kosovës, me akademi policore të përfunduar, i vetëdijshëm se manipulimi me armë paraqet rrezik, në prezencë të shumë personave e në ambient të mbyllur ka manipuluar me armën zyrtare e tipit Gllok e kal. 9mm.

“Derisa i akuzuari Mehmeti ishte i ulur në kauq, ndërsa në anën e majtë të tij në distancë prej 70-80 cm ishte i ndjeri, kishte nxjerrë armën me qëllim që ta vendos në një jakne, mundohet ta hjekë karikatorin dhe ta sigurojë armën ku kishte shkaktuar një të shtënë” – thuhet në aktin akuzues të prokurorisë.

Gjykimi  ndaj Fatlum Mehmetit është shtyrë për muajin shtator.

Seanca është shtyrë për shkak të mungesës së avokati Besnik Berisha, pasi i njëjti kishte kërkuar shtyrjen e seancës për shkaqe familjare.

Për Kallxo.com e ka konfirmuar gjyqtari i çështjes Kushtrim Shyti.

I akuzuari ngarkohet me veprën penale të vrasjes me dashje eventuale nga neni 172 lidhur me nenin 21 par.3 të Kodit Penal.

Çka nënkupton dashja eventuale sipas Kodit penal?

“Personi vepron me dashje eventuale kur është i vetëdijshëm se pasoja e ndaluar mund të shkaktohet si rezultat i veprimit ose i mosveprimit të tij dhe ai pranon shkaktimin e saj”.

Dënueshmëria sipas Kodit penal, për kryerjen e kësaj vepre penale sipas nenit 172 është jo më pak se pesë (5) vjet burgim.

Fatlum Mehmetit, gjykata i kishte shqiptuar masën e paraburgimit ndërsa të dyshuarve të tjerë u kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak.

Menjëherë pas rastit ishin arrestuar gjashtë zyrtarë policorë ndërsa të tjerët që ishin prezent në vendin e incidentit ishin suspenduar nga puna.

Përveç arrestimeve dhe suspendimeve ishin sekuestruar edhe 14 armë zyrtare të policëve të cilët kishin qenë pjesë e ahengut.

Të gjitha raportimet lidhur me këtë rast mund t’i ndiqni në këtë LINK.