Foto-ilustrim

Vrasja e policit, ky është vendimi i Gjykatës për policët e arrestuar

Një muaj paraburgim është caktuar për zyrtarin policor F.M., i dyshuar për veprën penale të vrasjes ndërsa për pesë të tjerët Gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

KALLXO.com mëson se vendimi është marrë para pak minutave nga Gjykata.

Kërkesa e prokurores Besa Limani ishte që të gjashtë zyrtarët policorë të arrestuar për ngjarjen në Zllatar të caktohej masa e paraburgimit me kohëzgjatje prej 30 ditësh.

KALLXO.com raportoi për seancën që u mbajt sot.

Njëri nga zyrtarët policor është arrestuar për vrasje, pesë për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.

Nëntë zyrtarë të tjerë policorë që kanë qenë prezentë në ndejë janë suspenduar me rekomandim të IPK-së.

Si ndodhi ngjarja në Zllatar:

Një ndejë e organizuar nga 16 zyrtarë policorë në një vilë në fshatin Zllatar të Prishtinës përfundoi tragjikisht.

Kjo pasi që një zyrtar policor u vra nga një e shtënë e armës që u shkrep po atë natë nga kolegu i tij me inicialet F.M.

KALLXO.com mëson detaje të reja në lidhje me natën tragjike që ndodhi.

Siç mëson KALLXO.com ndeja kishte filluar nga ora 19:00. Ata fillimisht deri te vila ishin transportuar me një automjet “Jeep” nga pronari deri te vila për shkak se terreni në atë zonë është vështirë i kalueshëm me automjete të vogla.

Tutje siç mëson KALLXO.com një zyrtar policor një orë më parë ishte larguar nga festa dhe nuk kishte qenë i pranishëm kur kishte ndodhur ngjarja tragjike.

Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com, zyrtari policor me inicialet F.M., tashmë i arrestuar nën dyshimet për vrasjen ka shkrimbur një plumb i cili ka kapur policin L. Haxholli në pjesën e krahut të majtë e që më pas i ka depërtuar brenda trupit.

Përveç plumbit që kapi viktimën, KALLXO.com mëson se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe disa gëzhoja të tjera.

Gëzhojat janë gjetur në oborrin ku ishte vila në të cilën kishin organizuar ndejën zyrtarët policorë.

Nga e gjithë ngjarja, siç ka raportuar KALLXO.com, 14 armë janë sekuestruar për t’u dërguar më pas në ekzaminim.

Në mesin e armëve të sekuestruara është edhe arma zyrtare e viktimës të cilën e kishte me vete.

Pesë persona janë arrestuar për shkaktim të rrezikut dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, një për vrasje.

Përveç të arrestuarve janë suspenduar nga puna edhe 9 zyrtarë policor që prezent në ndejën e organizuar.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin që ndodhi të premten.

Përfundon seanca për masën e sigurisë për 6 zyrtarët policorë, të arrestuar pas incidentit ku u vra një polic