Ish-këshilltari i lartë, Eset Berisha dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj

Dosja e Prokurorisë: Dëshmitari rrëfen presionin që i ishte bërë nga këshilltari i Pal Lekajt në rastin e 53-milionëshit

Një aktakuzë e publikuar në fillim të këtij muaji ngre dyshime se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, këshilltari i tij i lartë politik, Eset Berisha dhe Nebih Shatri, ish-sekretar në këtë ministri, u përfshinë në një aferë korruptive.

Dosja e Prokurorisë prej 44 faqeve zbardh detaje nga dëshmitë mbi negociatat që ishin zhvilluar ndërmjet zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës dhe konsorciumit turko-amerikan Bechtel-Enka për një pagesë prej 53 milionë e 100 mijë euro në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbër Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Avdi Kamerolli është njëri nga dëshmitarët kyç në aktakuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare ndaj Lekajt, Berishës e Shatrit. Në dëshminë e dhënë në Prokurorinë Speciale, sipas aktakuzës, Kamerolli në cilësinë e zyrtarit ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës, ishte vënë nën presion që ta jap një opinion ligjor që do të arsyetonte pagesën prej 53 milionë e 100 mijë euro nga ministria për kompaninë Bechtel-Enka.

Kamerolli, siç ka deklaruar pranë Prokurorit të Shtetit, ishte ftuar në zyre nga Eset Berisha, ish-këshilltar i ministrit Pal Lekaj për të përgatitur një opinion ligjor ku do të arsyetohej pagesa për Bechtel-Enkan. Ky takim, sipas dëshmitarit Kamerolli kishte ndodhur më 31 maj të vitit 2018, thuhet në aktakuzë.

“Tutje shton se pas kësaj ftese ai kishte shkuar në zyrën e Eset Berishës dhe gjatë bisedës Eseti ja kishte paraqitur rreth 3-4 fletë dhe kishte kërkuar nga ai që të shënimet që ishin në ato letra t’i inkorporojë në një opinion ligjor, sepse kjo ishte kërkesë e kabinetit të ministrit dhe opinioni ligjor duhet të bëhej brenda ditës pasi që ishte urgjent”, thuhet në deklaratën e Avdi Kamerollit, në cilësinë e dëshmitarit.

“Sipas dëshmitarit, Eset Berisha kishte kërkuar opinion ligjor, ku konkretisht përmes këtij opinioni të konfirmojmë se MI ka obligim për ekzekutim të borxhit ndaj kompanisë Bechtel-Enka shumën prej 63 milionë euro dhe Eseti asnjëherë nuk i kishte dërguar kërkesë zyrtare në formë të shkruar e as elektronike”, thuhet tutje në dëshminë e Kamerollit.

Dëshmitari Kamerolli, sipas aktakuzës, ka rrëfyer se pas takimit me Eset Berishën dhe pas pranimit të disa shkresave përmes adresës elektronike, ai përsëri nuk kishte pranuar që ta shkruante një opinion ligjor ku do të arsyetonte pagesën në vlerë miliona euro për konsorciumin turko-amerikan “Bechtel-Enka”.

Kamerolli, i cili është intervistuar në cilësinë e zyrtarit ligjor në MI, ka thënë se ka kërkuar nga Eset Berisha që një opinion të tillë ligjor ta kërkoj nga personi i cili ka pasur qasje në këtë kontratë nga fillimi, dhe për opinionin sqarues duhet t’i drejtohet menaxhmentit të kontratës dhe kompanisë mbikëqyrëse për ekzaminim të kontratës, vazhdon aktakuza.

Presioni, siç përshkruhet në aktakuzë kishte vazhduar edhe një ditë më pas. Dëshmitari thotë se ishte ftuar sërish nga kabineti i ministrit Lekaj në zyre për tu takuar me Eset Berishën.

“Eseti ia kishte prezantuar një version të shkruar të opinionit ligjor të cilin e kishte përgatitur në emër të dëshmitarit se gjoja ai e kishte shkruar atë opinion duke kërkuar nga dëshmitari vetëm ta nënshkruaj”, thuhet në dëshminë e Kamerollit.

Por, edhe pas kësaj, Kamerolli kishte refuzuar që ta nënshkruaj dokumentin e prezantuar nga Eset Berisha, këshilltar i lartë i ministrit Pal Lekaj, nën arsyetimin se nuk ishte një opinion i tij.

“Eseti i kishte thënë dëshmitarit se ti brenda ditës duhet ta nënshkruash këtë opinion, për këtë je i obliguar dhe në rast nuk e nënshkruan do të kesh pasoja dhe mos nënshkrimin e opinionit ligjor, ju po e bllokoni punën e kabinetit të ministrit”, thuhet tutje në deklaratën e dëshmitarit të bërë në pranë Prokurorisë Speciale.

Pavarësisht presioneve, siç i përshkruan aktakuza, Avdi Kamerolli thotë se nuk kishte pranuar të nënshkruante një opinion ligjor ku arsyetohej pagesa për kompaninë turko-amerikane.

Dëshmia e tij thotë se një opinion megjithatë, sipas mendimit të tij, e ishte bërë dhe të njëjtin e kishte dozuar te ministri Pal Lekaj dhe arkivi i ministrisë më 1 qershor 2018.

Siç ka rrëfyer dëshmitari, ai opinionin e kishte dhënë vetëm sa i përket zgjatjes së kohës për punime në autostradë ndërsa, sipas tij, sa i përket borxhit prej 53 milionë euro, ai kishte deklaruar se atë duhet ta jap kompania mbikëqyrëse “Hill Internatinal”.

Por, një opinion i tillë ligjor nuk ishte pranuar nga Eset Berisha, vazhdon aktakuza. Ai e kishte ftuar edhe njëherë tjetër atë në zyrë dhe i kishte kërkuar që emri i kompanisë mbikëqyrëse të hiqet nga opinioni. Pas këtij presioni, dëshmitari thotë se kishte pranuar që të hiqet emri i kompanisë por që të mbetet pjesa ku thuhet se “opinioni sqarues duhet të kërkohet nga personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe departamenti i prokurimit publik si nënshkrues të kantatës”.

Drama e presionit mbi dëshmitarin kishte vazhduar edhe më shumë. Eset Berisha, sipas aktakuzës kishte ftuar Kamerollin edhe njëherë dhe i kishte thënë që duhet të hiqet edhe pjesa ku thuhet se opinioni duhet të kërkohet tek organet brenda ministrisë.

Më pastaj, siç ka deklaruar dëshmitari, ai kishte dalë nga zyra në mënyrë demonstrative dhe kishte fikur telefonin ndërsa të nesërmen kishte kërkuar edhe pushim vjetor prej një muaji.

Krejt në fund, dëshmitari Kamerolli, i cili në atë kohë ka mbajtur pozitën e zyrtarit ligjor në Ministrinë e Infrastrukturës, kishte thënë se pas dhënies së opinionit të dytë ligjor, nuk ka pasur asnjë lidhje më me këtë çështje.

Ditën kur Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Eset Berishës, ai kishte reaguar përmes një postimi në Facebook. Ai ka thënë se dëshmitari i cili e ka nënshkruar një opinion, ku arsyetohej pagesa për Bechtel-Enka nuk është hetuar nga prokurori si i dyshuar por është vetëm dëshmitar.

“E ai që ka përpiluar dokumentin për arsyeshmërinë e pagesës dhe e ka nënshkruar me dorën e vet, është ftuar nga prokuroria si dëshmitar dhe asnjëherë si i dyshuar, edhe pse në bazë të dokumentit të tij qeveria e ka aprovuar vendimin për pagesën e 53 mil. Prokuroria nuk ka hetuar as të tjerët që kanë aprovuar vendimin, e këtë kontratë e kishte aprovuar qeveria apo edhe atë që e ka nënshkruar vet kontratën, si drejtor i prokurimit”, ka shkruar Berisha në Facebook.

Dosja e Prokurorisë: Si u përfshi kundërligjshëm në negociata këshilltari i Pal Lekajt për 53 milionëshin?

www.kallxo.com