Dosja e Prokurorisë: Si u përfshi kundërligjshëm në negociata këshilltari i Pal Lekajt për 53 milionëshin?

53 milionë e 100 mijë euro i kushtoi buxhetit të shtetit një vendim i Qeverisë të cilës i printe Ramush Hardinaj.

Këto para u ndanë nga kuleta e shtetit për konsorciumin turko-amerikan Bechtel-Enka në emër të vazhdimit të punimeve në Autostradën “Arbën Xhaferi” që lidh kryeqytetin me Hanin e Elezit.

Një hetim dy vjeçar i Prokurorisë Speciale ka ardhur në përfundim se ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari i lartë i tij, Eset Berisha dhe Nebih Shatri, ish-sekretar në Ministrinë e Infrastrukturës kanë tejkaluar kompetencat e tyre “me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Kosovës”.

Në fillim të këtij muaji, Prokuroria e Shtetit ngriti aktakuzë për Lekajn, Berishën dhe Shatrin për veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Historia nis në vitin 2017 kur Ministria që drejtohej nga Pal Lekaj nënshkroi një marrëveshje me kompaninë Bechtel-Enka për shtyrjen e afatit të përfundimit të punësimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit për 347 ditë të tjera duke mos përcaktuar koston financiare.

Kjo, sipas aktakuzës, i kishte hapur rrugë kompanisë që më datën 27.11.2017 të paraqes një kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës për pagesë të shumës shtesë “Briefing Package” në vlerë prej 63 milionë euro në emër të “zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve”.

Kërkesa e njëjtë më pastaj ishte zbritur në 53 milionë e 100 mijë euro e cila edhe ishte ekzekutuar më 5 qershor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës.

Pal Lekaj, si ministër i Infrastrukturës që në atë kohë drejtonte edhe Komitetin Ndërministror, po akuzohet nga Prokuroria Speciale se në kundërshtim me Statutin dhe Kodin e Sjelljes, pa i informuar dhe pa marrë pëlqimin e anëtarëve të tjerë të këtij Komiteti, ka angazhuar këshilltarin e tij të lartë, Eset Berisha që të merr pjesë në negociata me Bechtel-Enka “për të përcaktuar koston financiare”. Këto ishin detyra jashtë fushëveprimtarisë dhe kompetencave të një këshilltari politik, thuhet në aktakuzë.

Ndërsa, Eset Berisha, sipas aktakuzës, nën udhëzimet dhe në bashkëpunim të plotë me Pal Lekajn ka zhvilluar biseda me Bechtel-Enka-n dhe janë pajtuar që të zgjatet afati i përfundimit të punësimeve deri më datë 31.12.2018 dhe që Ministria e Infrastrukturës të paguaj koston financiare shtesë në llogari të kësaj kompanie në vlerë prej 45 milionë euro, shumë e cila sipas aktakuzës me shpenzimet e TVSH-së prej 18 për qind arrin shumë prej 53 milionë e 100 mijë euro.

Prokuroria Speciale ka përpiluar një aktakuzë prej 44 faqesh ku janë intervistuar disa dëshmitarë.

Rruga deri tek aktakuza – Çka ndodhi dhe pse u paguan 53 milionë euro?

www.kallxo.com