Dita e 24-të e luftës: Zhvillimet e fundit në Ukrainë

Sot, është dita e 24 e pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit.

Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën. Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës duke e dënuar sulmin dhe u zotuan se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Luftimet kanë vazhduar  dhe janë intensifikuar edhe gjatë ditës së djeshme. Po ashtu, edhe gjatë natës së kaluar, ushtria ruse ka vazhduar me bombardimin e objekteve civile dhe ushtarake në disa qytete kryesore në Ukrainë.

Ndërkohë, viktimat civile po rriten vazhdimisht.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se 130 persona janë shpëtuar deri më tani nga një teatër i bombarduar në qytetin e Mariupol.

Qindra civilë po strehoheshin në teatrin kur u bombardua të mërkurën. Zelensky tha se operacionet e shpëtimit po vazhdojnë në vend dhe qindra njerëz ka të ngjarë të mbeten nën rrënoja.

Mariupol është goditur nga granatime të vazhdueshme ditët e fundit, me presidentin francez Emmanuel Macron që i shprehu të premten Presidentit rus Vladimir Putin shqetësim për situatën.

“Është koha që të flasim,” ishte mesazhi i presidentit ukrainas Zelensky drejt Rusisë përmes  një video-mesazhi në mëngjesin e hershëm të  së shtunës. “Dua që të gjithë të më dëgjojnë tani, veçanërisht dua që të më dëgjojnë ata në Moskë,” tha ai. “Është koha për t’u takuar, koha për të biseduar, koha për ta rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën, ose përndryshe Rusia do të përballet me humbje të tilla që disa gjenerata nuk do të mjaftojnë që ajo të ngrihet përsëri.”

Përmes një video-fjalimi të së premtes drejtuar kombit ukrainas, Zelenskyy tha gjithashtu se më shumë se 9,000 njerëz ishin në gjendje të largoheshin nga Mariupoli i rrethuar gjatë ditës së kaluar, dhe në total më shumë se 180,000 njerëz kanë mundur të largohen përmes korridoreve humanitare.

Një avion ushtarak amerikan me katër persona në bord u zhduk të premten gjatë stërvitjeve ushtarake të NATO-s në Norvegji. Ekipet e shpëtimit raportuan të premten vonë se “zbulimet u bënë” në kërkimin e tyre, me ekipet tokësore të drejtuara për në vendngjarje. Trupat e Marinës amerikane vetëm thanë se incidenti ishte një “fatkeqësi” dhe se shkaku i aksidentit është nën hetim.

Imazhet satelitore tregojnë ushtrinë ruse duke gërmuar, duke ndërtuar berma mbrojtëse prej balte rreth pajisjeve të saj ushtarake në veriperëndim të Kievit. Sipas zyrtarëve të NATO-s, ofensiva e Rusisë për të kapur kryeqytetin ka ngecur kryesisht. Ushtria ukrainase tha se dy rrugët kryesore të Rusisë për të sulmuar Kievin janë bllokuar dhe Ukraina nisi një kundërofensivë të enjten me qëllim marrjen e kontrollit vendimtar të periferive të qytetit.

Qytete të tjera kyçe: Lviv dhe Kramatorsk u goditën gjithashtu të premten nga sulmet ruse, sipas autoriteteve ukrainase.

Presidenti Joe Biden dhe ai i Kinës Xi Jinping folën të premten për gati dy orë me anë të videove, ndërsa SHBA-të synojnë të pengojnë Pekinin nga ofrimi i ndihmës ushtarake ose ekonomike për pushtimin e Rusisë. Biden përshkroi pasojat me të cilat kinezët do të përballeshin nga SHBA-ja nëse ofrojnë ndihmë ushtarake ose ekonomike për pushtimin e Ukrainës nga Rusia. Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki nuk pranoi të japë detaje lidhur me pasojat e mundshme, por një zyrtar i lartë i administratës tha se Biden vuri në dukje izolimin ekonomik me të cilin është përballur Rusia. Nga ana e tij, Xi i kërkoi SHBA-së dhe Rusisë të negociojnë dhe e fajësoi SHBA-në për krizën.

Agjencia e OKB-së për migracionin thotë se luftimet kanë zhvendosur rreth 6.5 milionë njerëz brenda Ukrainës dhe rreth 3.2 milionë refugjatë tashmë janë larguar nga vendi.

Tre kozmonautë rusë mbërritën të premten në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës dhe teksa hynë në të me gravitet zero, ata kishin veshur kostume fluturimi të verdha të ndezura me thekse blu. Këto janë ngjyrat e flamurit të Ukrainës.

Më vonë, kozmonautët ishin në gjendje të bisedonin me familjet e tyre në Tokë, dhe kozmonauti Oleg Artemyev u pyet për kostumet e fluturimit. Ai tha se çdo ekuipazh zgjedh kostumet e tij të fluturimit dhe “në fakt, ne kishim grumbulluar shumë material të verdhë, kështu që duhej ta përdornim. Pra, kjo është arsyeja pse ne duhej të vishnim të verdhë.”

Që nga fillimi i luftës, shumë njerëz kanë përdorur flamurin ukrainas dhe ngjyrat e tij për të treguar solidaritet me Ukrainës. Ishte e paqartë se çfarë mesazhi, nëse kishte, synonin ta dërgonin uniformat e verdha.

Policia e Moskës tha se më shumë se 200,000 njerëz morën pjesë në tubimin dhe një koncert që shënonte përvjetorin e tetë të aneksimit të Rusisë të gadishullit të Krimesë. Por disa telegrame kritike ndaj Kremlinit raportuan se studentët dhe punonjësit e institucioneve shtetërore u urdhëruan të merrnin pjesë në mitingje dhe koncerte që shënonin përvjetorin. Këto raporte nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Në fillim të kësaj jave, Putin i krahasoi kundërshtarët e brendshëm të luftës me “mushkonjat” që përpiqen ta dobësojnë Rusinë me urdhër të Perëndimit. Qindra protestues janë arrestuar në të gjithë Rusinë. Autoritetet ruse kanë vazhduar gjithashtu t’i bllokojnë mediat e pavarura të lajmeve. Në një video-mesazh drejtuar popullit rus, ikona e filmit Arnold Schëarzenegger i quajti të gjithë rusët që kanë qenë në rrugë duke protestuar kundër pushtimit të Ukrainës “heronjtë e mi të rinj”. Ai tha se Kremlini po i gënjen rusët për luftën në Ukrainë.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri presion për një armëpushim të menjëhershëm në një telefonatë të premten me Putinin. Zyra e Macron tha se Putini e fajësoi Ukrainën. Kancelari gjerman Olaf Scholz gjithashtu i bëri presion Putinit për një armëpushim në një bisedë të së premtes.

Biden planifikon të udhëtojë në Evropë javën e ardhshme për bisedime me liderët evropianë rreth pushtimit rus dhe do të marrë pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të NATO-s në Bruksel.

Kreu i delegacionit rus në bisedimet me zyrtarët ukrainas thotë se palët janë afruar me një marrëveshje për një status neutral për Ukrainën – një nga kërkesat kryesore ruse ndërkohë që ofensiva e saj ushtarake në Ukrainë po vazhdon. Vladimir Medinsky tha të premten se palët gjithashtu kanë ngushtuar mosmarrëveshjet e tyre për çështjen e heqjes dorë nga oferta e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO.

Mirëpo Mikhailo Podolyak, një këshilltar i presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, shkroi në Twitter: “Pozicionet tona janë të pandryshuara. Armëpushimi, tërheqja e trupave dhe garancitë e forta të sigurisë me formula konkrete.”

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut thotë se ka regjistruar gjithsej 816 civilë të vrarë dhe 1,333 të plagosur që nga fillimi i luftimeve më 24 shkurt, megjithëse raporton vetëm se mund të verifikojë. Kjo zyrë beson se shifrat e nënvlerësojnë shumë numrin aktual. Zyrtarët ukrainas thonë se mijëra njerëz  janë vrarë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre kanë vendosur një sërë sanksionesh që synojnë ta gjymtojnë ekonominë ruse. Qindra kompani ndërkombëtare kanë njoftuar se po i kufizojnë operacionet në Rusi dhe ato që mbeten janë nën presion për t’u tërhequr.

Papa Françesku e denoncoi të premten atë që ai e quajti “abuzimi pervers i pushtetit” në luftën e Rusisë në Ukrainë dhe bëri thirrje për ndihmë për ukrainasit, identiteti, historia dhe tradita e të cilëve janë nën sulm. Komentet e Papa Françeskut ishin disa nga më të fortat e tij për ta pohuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si një shtet sovran.

Agjencitë e ndihmës po i shtojnë përpjekjet e tyre për të ofruar ndihma për civilët e prekur nga luftimet dhe refugjatët që janë larguar nga Ukraina. Qyteti polak i Rzeszow, rreth 100 kilometra nga kufiri ukrainas, është bërë një qendër humanitare për rajonin./ CNN, Associated Press