Naim Qelaj dhe Faton Kutllovci
Dita Botërore e Shëndetit Mendor, Avokati i Popullit viziton Psikiatrinë e fëmijëve dhe adoleshentëve
Avokati i Popullit, Naim Qelaj ka vizituar Repartin e Psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor.
Qelaj pa nga afër këtë repart ndërsa u prit nga drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci.
Avokati i Popullit tha se shteti duhet të bëj më shumë sa i përket shëndetit mendor duke kërkuar edhe investime në këtë repart.
“Jemi dëshmitar të rritjes së numrit të fëmijëve që kanë nevojë për këto shërbime. Konsideroj që shëndetësia ka nevojë për një vëmendje më të madhe. Duhet analizë e mirëfilltë dhe ndërhyrje e koordinuar. Në dy fushatat zgjedhore që kanë ndodh në Kosovë shëndeti mendor sikur nuk është në fjalorin e atyre që pretendojnë të marrin pozita drejtuese kjo paraqet shqetësim dhe është brengosëse. Unë e kam zgjedh këtë ditë me tregu para publikut dhe të ngris zërin që është urgjente që secili institucion ta sheh me prioritet shëndetin mendor. Stafi del përtej kapaciteteve që kanë, ky është vullnet i tyre. Por në anën tjetër e dimë që ka nevojë për investime por edhe në rritje të stafit”- tha Qelaj më 10.10.2025.
Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, tha se mbi një mijë shërbime brenda muajit jepen në Repartin e Psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Nga statistikat që janë për çdo muaj kemi më shumë se 1 mijë ndonjëherë dhe 2 mijë shërbime ambulatore dhe gjithsesi ka 70-100 janë shërbime ditore”- tha ai.
Kutllovci tha se kanë nevojë për shtim të hapësirës për të kryer trajtimet për adoleshentët dhe fëmijët që abuzojnë më substanca.
“Ne kemi shënuar të arritura në punën tonë në repartin sepse kemi fillu për herë të parë këtë repart dhe ofrojmë numër të madh të shërbimeve. Natyrisht që kemi nevojë për shtim të hapësirës dhe shtim personalit por dhe me këto kapacitete jemi duke ofruar shërbime nga më të ndryshme për adoleshentë që kanë nevojë për shërbime. Në parim këta shtatë shtretër janë ndihmë e madhe por njëherë nuk janë sfidë. Kemi nevojë për një hapësirë tjetër për adoleshentët dhe fëmijë që duhet të trajtohen që abuzojmë me substanca”- deklaroi drejtori i Klinikës së Psikiatrisë.

Kutllovci bëri apel për kujdes gjatë raportimeve në media për rastet e vrasjeve dhe vetëvrasjeve, duke shtuar se ato mund të nxisin persona të tjerë.
“Të apeloja që të bëhemi të gjithë bashkë si institucione, media, shoqëria civile që ta japim kontributin tonë në shërbim të zvogëlimit të stigmës. Për faktin se rritja e stigimës do të na bëjë jo të qasshëm për popullatën. Do ta apeloja tek mediat që të kenë kujdes që mos të përshkruajnë në detaje rastet e vetëvrasjeve por edhe vrasjeve”- tha ai.
Shënimi i Ditës Botërore të Shëndetit Mendor ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit tek njerëzit për rëndësinë e shëndetit mendor dhe largimin e stigmës.
Ministria e Shëndetësisë tha se këtë vit kjo ditë shënohet me moton “Qasja në Shërbime – Shëndeti Mendor në Katastrofa dhe Emergjenca”, duke vënë në pah nevojën për mbështetje të menjëhershme dhe të vazhdueshme për shëndetin mendor në situata të jashtëzakonshme si fatkeqësitë natyrore, konfliktet apo krizat humanitare.
“Shëndeti mendor është thelbësor për mirëqenien njerëzore. Ai ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si mendojmë, ndjejmë, veprojmë dhe ndërveprojmë me të tjerët. Ruajtja e shëndetit mendor është po aq e rëndësishme sa edhe kujdesi për shëndetin fizik. Kur shëndeti mendor neglizhohet, pasojat mund të jenë të thella, jo vetëm për individin, por edhe për familjen dhe komunitetin”- thonë nga Ministria e Shëndetësisë.
Ky institucion ka theksuar se “për të ruajtur dhe përmirësuar shëndetin mendor, rekomandohen këto veprime të thjeshta por të rëndësishme: Flisni hapur për ndjenjat dhe gjendjen tuaj emocionale me njerëz të besuar; Kërkoni ndihmë profesionale nëse ndiheni të mbingarkuar apo të pashpresë; Mbani kontakte sociale dhe shfrytëzoni mbështetjen e komunitetit”.
Ministria e Shëndetësisë ka inkurajuar të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes dhe mirëkuptim ndaj shëndetit mendor dhe të ndihmojnë në krijimin e një shoqërie më të hapur, përfshirëse dhe të mbështetshme për të gjithë.