Detaje të reja: 11-vjeçarja dyshohet se u dhunua e u shfrytëzua seksualisht nga ora 8 e mëngjesit deri në mbrëmje

Në mëngjesin e 21-qershorit, ditë e martë, rreth orës 8, e mitura 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar nga D.Rr., 23 vjeçar. I dyshuari dhe viktima kishin rënë në kontakt përmes rrjetit social Viber dhe kishin lënë takim në një lokacion në kryeqytet e më pas kishin vazhduar drejt një moteli.

23-vjeçari sipas dosjes së prokurorisë, e kishte marrë me veturë të miturën dhe e kishte dërguar në motel rreth orës 8 të mëngjesit dhe më pas kishte filluar që të kryejë marrëdhënie seksuale me të.

Dosja flet se i pandehuri ishte në dijeni se viktima ishte e mitur. Përveç veprës penale të dhunimit, i njëjti po dyshohet edhe për trafikim. Kjo pasi që në të njëjtën ditë, pra mëngjesin e 21-qershorit i njëjti kishte vënë në kontakt viktimën me dy persona të tjerë, B.S., 26-vjeçar dhe G.S., 25-vjeçar.

Pas 23-vjeçarit, dy të pandehurit e tjerë G.S., dhe B.S., dyshohet se në të njëjtën ditë e kishin shfrytëzuar të miturën për shërbime seksuale pasi kishin rënë në kontakt me të përmes D.Rr.

Të dy të pandehurit, G.S. dhe B.S., po dyshohen për shërbime seksuale të viktimës së trafikimit.

Të gjithë të dyshuarit sipas dosjes së prokurorisë, në të njëjtën ditë kanë shfrytëzuar seksualisht të miturën, e kanë trafikuar dhe dhunuar.

I pandehuri tjetër F.S., 22-vjeçar, po dyshohet që në ditën e njëjtë, ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën në një motel. Fillimisht dosja e prokurorisë tregon se 22-vjeçari kishte rënë në kontakt me 11-vjeçaren përmes rrjeteve sociale e më pas ishin takuar dhe kishin vazhduar në një motel. 22vjeçari, F.S., po dyshohet për veprën penale të dhunimit.

Të njëjtin prokuroria e ka ngarkuar edhe me dyshimin për trafikim me njerëz pasi që dyshohet se i njëjti i kishte aranzhuar takim 11-vjeçares me persona të tjerë me qëllim të shërbimit seksual.

I pandehuri tjetër M.R., 21-vjeçar, dyshohet se kishte shfrytëzuar seksualisht të miturën ndërsa me viktimën kishte rënë në kontakt përmes F.S.

21-vjeçari M.R., po dyshohet për shërbime seksuale të viktimës së trafikimit si dhe veprën e dhunimit.

M.R., ishte takuar me viktimën në kryeqytet e më pas kishin vazhduar në një motel dhe aty dyshohet se ka kryer veprën penale të dhunimit.

Gjatë ditës së sotme KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.