Dështon votimi i raportit vjetor të RTK-së, nuk ka kuorum

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2020.

Seancën e Kuvendit e lëshuan paraprakisht deputetët e PDK-së për të marrë pjesë në varrimin e Fazli Veselit, babait të ish-liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në seancë janë të pranishëm vetëm 67 deputetë.

Nënkryetarja Saranda Bogujevci tha se nuk ka kuorum për vendimmarrje dhe se po vazhdojnë me pikën e radhës të ditës -shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë të Drejtësisë për vitin 2020.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja, ka radhitur arsyet se përse kanë rekomanduar që të mos votohet ky raport.

“Ne në kuadër të Komisionit për Buxhet kemi qenë kundër miratimit të raportit vjetor për këto arsye. Standardi i parë ligjor që RTK raporton në Kuvend mbi bazën e ligjit për menaxhimin e financave publike. Gjatë raportimit nuk është fare evidente që janë ndjek procedurat dhe formati i raportimit sipas këtij ligji. E dyta është sa i përket shpenzimeve. Gjatë raportimit vjetor ka një shpërputhje midis raportit të shpenzimeve dhe projeksionit fillestar dhe nuk ka asnjë evidencë që është informuar Kuvendi për këtë punë”, tha ai.

“E treta është se sipas ligjit, bordi i RTK-së e ka për obligim që mos me e leju tejkalimin e shpenzimeve. Edhe këtë vit ekziston një tendencë e çuditshme e tejkalimeve të shpenzimeve pa pasur autorizim. Edhe kur shpenzohen mjetet e RTK-së, duhet që ta respektojë ligjin për prokurim publik. Nuk është evidente në raport që kanë ndjekur këto procedura. E fundit është tek formati i raportimit. Në gjitha komisionet që na marrim pjesë, raportet kanë një rrjedhje logjike të shpenzimeve. Raportin që ne e kemi marrë nga RTK-ja, mund të jetë raport më i dobët financiar që ka ardhur në Komision për Buxhet dhe Financa. Ne kemi rekomanduar kundër miratimit të këtij raporti”, ka thënë Muja.

Ndërkaq deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, tha se kritikat mbi raportin vjetor janë vetëm arsyetim që të shkarkohet bordi i RTK-së.

Sipas tij, kjo është me qëllim të kapet ky bord nga pushteti akual.

“Kjo po lidhet ma shumë me pikën 10 që vjen të për shkarkimin e anëtarëve të bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, krejt mendoj që qëllimi është si me ardhë  deri të shkarkimi me qëllim të emërimit të një bordi nga të afërtit e pushtetit aktual, dhe kapjen e mediumit publik. Unë rekomandoj që të kundërtën me atë që po thotë mazhoranca, që të votohet raporti i RTK-së”, tha Beqa.