Dështon mbajtja e shqyrtimit gjyqësor për rigjykimin e ish-inspektorëve të Fushë Kosovës

Shqyrtimi gjyqësor kundër ish-inspektorëve të Komunës së Fushë-Kosovës, Afrim Krasniqit, Mobere Hysenit, Valbona Feratit dhe Doruntina Dumanit, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dështuar të mbahet.

Ky rast kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, ka dështuar me ç’rast është nxjerrë aktvendim gjyqësor për t’u shtyrë, për shkak të mungesës së dëshmitarëve dhe ekspertëve.

Ndonëse e planifikuar të mbahej me 30 Shtator në orën 9:00, shqyrtimi gjyqësor kundër ish-inspektorëve të Komunës së Fushë-Kosovës, nisi me rreth 1 orë vonesë.

Trupi gjykues i përbërë nga: Gazmend Bahtiri, Alltëne Murseli dhe i kryesuar nga Gëzim Ademi, u fut fillimisht në seancë në orën 9:26 dhe nisi shqyrtimin, por me vërtetimin se gabimisht ishte konstatuar prezenca e të akuzuarit Afrim Krasniqi, kryetari Ademi u shpreh se mungesa e të pandehurit në këtë fazë do të përbente shkelje të procedurës dhe vendosi që të pritej Krasniqi edhe 10 minuta.

Me ardhjen e Afrim Krasniqi, seanca rifilloi përsëri, e gjyqtari kryesor, Gëzim Ademi pati një batutë për të.

“A të pritëm boll Afrim?”

“S’u nisha mirë… ka ditë që s’jam mirë.” – u arsyetua i pandehuri.

Në seancë ishin të pranishëm të gjithë të akuzuarit si edhe shumica e avokatëve të tyre. Në bankën e avokatëve nuk u pa avokatja Albina Budakova, e cila në këtë proces gjyqësor përfaqëson të akuzuarën Doruntina Dumani.

Për të dhënë dëshminë para trupi gjyqësorë u paraqit vetëm dëshmitari Xhevat Kastrati, i cili tregoi se punonte në sektorin privat të ndërtimit.

Marrja në pyetje iu kalua fillimisht prokurores së shtetit Merrushe Llugiqit, por ndërveprimi mes dëshmitarit dhe prokurores ishte i tejet shkurtër.

“Juve keni dhënë deklaratë në fazën e hetimeve në Prokurori me datën 17.10.2017, po ashtu keni dhënë dëshmi edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor në këtë gjykatë, a mbeteni pranë deklaratave të dhëna?” – pyeti prokurorja Llugiqi.

“Po, mbetem në tërësi pranë deklaratave të dhëna në procedurat e mëhershme.” – u përgjigj dëshmitari Kastrati.

Kjo përgjigje i mjaftoi prokurores që të konstatoi se nuk ka pyetje të tjera përveç atyre që i kishte shtruar në fazat paraprake të rastit.

Më tutje marrja në pyetje iu kalua avokatit Arbër Guta, i cili pyeti dëshmitarin se a mbetet pranë deklaratës së dhënë në procesverbalin e datës 27.01.2022 në gjykatë.

Përgjigja e Kastratit ishte sërish pozitive.

Më tutje gjyqtari iu drejtua të pandehurit Afrim Krasniqi duke e pyetur nëse ai kishte pyetje për dëshmitarin Kastrati.

Krasniqi u deklarua fillimisht se kishte pyetje por më pas u tërhoq duke thënë se, “Krejt çka i kom pasë i kom thonë.”

Mungesat në anën e atyre që priteshin të prezantonin në gjykatë ishin të shumta, mungoi dëshmitari Bardh Lepja, eksperti i ndërtimtarisë Lulzim Dema dhe eksperti i gjeodezisë Avdi Basholli.

Pikërisht mungesat quan në nxjerrjen e aktvendimit nga ana e trupit gjyqësorë për shtyrjen e seancës. E cila pas disa diskutimeve u vendos të mbahej me datën 2 tetor të këtij viti, në ora 13:30.

Çka thotë aktakuza për të pandehurit në këtë çështje?

Sipas aktit akuzues të dhjetorit të vitit 2016, të pandehurit në fjalë kishin keqpërdorur detyrën zyrtare gjatë periudhës kohore 2015-2016, pasi duke qenë në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit nuk kishin përmbushur detyrat zyrtare duke i mundësuar investitorit “Princesha Construction” të vazhdojë punimet në mënyrë të kundërligjshme.

Të pandehurat Valbona Ferati dhe Doruntina Dumani akuzohen se kanë hartuar procesverbale dhe vendime për rrënim dhe në atë jo në fazën e hershme të ndërtimit por e kanë bërë në fazën e avancuar të ndërtimit.

Lidhur me këto veprime, sipas prokurorisë ka qenë i informuar edhe drejtori i Departamentit të Inspeksionit, i cili pavarësisht kësaj, nuk kishte ndërmarrë asgjë për ta parandaluar ndërtimin e kundërligjshëm.

Të pandehurat Mobere Hyseni dhe Doruntina Dumani akuzohen se në cilësinë e inspektoreve të ndërtimit gjatë vizitës së punishtes më 30 maj të vitit 2014, kanë marrë pjesë në vendosjen e pikave të ndërtimit për ndërtimin e objektit sipas lejes ndërtimore dhe kanë bërë zhvendosjen e këtij objekti nga pikat e parapara sipas lejes të lëshuar nga Drejtoria për Planifikim Urban të Komunës së Fushë-Kosovës.

Çka kishte vendosur për këto akuza Gjykata e shkallës së parë më 13 korrik 2022?

Gjykata Themelore, me përbërje të trupit gjykues Naime Krasniqi – kryesuese, Medije Bytyqi dhe Agim Kuqi anëtarë, i kishte liruar të pandehurit nga akuzat, me arsyetimin se nuk ishte provuar se kishin kryer veprën penale që u vihej në barrë.

Kjo Gjykatë kishte vlerësuar se pas procedimit të provave materiale dhe shfrytëzimit të të gjitha fakteve nuk kishte pasur prova se të akuzuarit kishin kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Por ky aktgjykim u anulua nga Gjykata e Apelit në nëntor të vitit 2022.

Lirimin nga akuzat për këta të pandehur, Gjykata e Apelit në vlerësimin e saj i kishte konsideruar si shkelje esenciale të procedurës penale, shkelje të Ligjit penal dhe vërtetim të gabuar ose jo të plotë – shkelje të cilat i kishte ngritur si pretendime Prokuroria në ankesën e saj në këtë Gjykatë.

Pretendimet ankimore të Prokurorisë ndaj aktgjykimit lirues sipas Apelit janë të bazuara.

Sipas dosjes së kësaj Gjykate, Gjykata e shkallës së parë ka dështuar të paraqesë në mënyrë të qartë dhe të plotë se cilat fakte i ka vërtetuar apo jo, duke mos dhënë kështu arsye të mjaftueshme mbi rrethanat e dispozitivit të aktgjykimit.

Ky rast është kthyer në rigjykim dhe rivendosje nga Apeli, me trup gjykues të përbërë nga Xhevdet Abazi – kryesues dhe Afërdita Bytyqi e Tomisllav Petroviq në nëntor të vitit 2022.