Dështimi i shtetit për t’i mbrojtur fëmijët nga dhuna

Sistemi i mbikëqyrjes sociale i problemeve në familje vazhdon të jetë sfidues për Kosovën. Me gjithë faktin se Qendrat për Punë Sociale kanë marrë dhjetëra trajnime dhe është investuar në kapacitetet e tyre, rastet e trajtuara nga to vazhdojnë të jenë problematike.

Rasti i pesëvjeçarit në Lipjan, i cili u pranua me lëndime të rënda në të dy këmbët, ngriti pikëpyetje serioze për funksionimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.

Fëmija pesëvjeçar u dërgua më 17.03.2026 në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, në gjendje të rëndë, me plagë serioze në shputat e këmbëve dhe ndryshime gangrenoze.

Deri më tani, dyshohet se këmbët ia ka lënduar nëna e tij.

Mjekët kishin konstatuar gjithashtu dyshime për kequshqyerje dhe vështirësi në komunikim, çka kishte shtuar dyshime për keqtrajtim të vazhdueshëm. Pas pranimit, rasti u raportua menjëherë në organet e rendit.

Në vazhdën e veprimeve, Policia e Kosovës kishte arrestuar dy prindërit e fëmijës, ndërsa më 18.03.2026, Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar atyre nga një muaj paraburgim.

Sipas vendimit të gjykatës, masa është aprovuar pas vlerësimit të provave dhe kërkesës së prokurorisë, duke vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar për veprat penale që lidhen me keqtrajtimin e fëmijës.

Ndërkohë, gjendja e fëmijës është cilësuar e rëndë, por stabile, dhe ai është trajtuar nga një ekip multidisiplinar në kujdes intensiv, përfshirë kirurgë, pediatër dhe specialistë të tjerë.

Rasti mori dimension edhe më të madh pasi u kuptua se familja kishte histori të gjatë që ishte nën llupen e sistemit social.

Në një konferencë për media, përfaqësues të Ministrisë së Familjes konfirmuan se familja nga Lipjani kishte qenë në trajtim nga Qendra për Punë Sociale që nga viti 2013, ndërsa fëmijët i ishin marrë disa herë dhe më pas u ishin rikthyer. Ky fakt ka ngritur dyshime serioze për mënyrën se si institucionet kanë menaxhuar rastin ndër vite.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare kishte kërkuar raport të detajuar nga Qendra për Punë Sociale lidhur me trajtimin e këtij rasti dhe veprimet e ndërmarra.

Në qendër të debatit është vendosur pikërisht kjo histori institucionale se si një familje e monitoruar për më shumë se një dekadë të përfundojë në një rast me pasoja të rënda për një fëmijë.

Teksa raporti i inspektimit nuk ka përfunduar ende, nga Ministria për Familje thanë për KALLXO.com se njësia inspektuese po i kryen hetimet. Familja ka gjithsej 7 fëmijë, të cilët janë në përkujdesje institucionale.

“Theksojmë që fëmijët janë vendosur në formën e mbrojtjes dhe për ta janë duke u ofruar shërbimet e nevojshme sipas nevojave individuale. Njësia Inspektuese, po kryen hetimet në përputhje me përgjegjësitë ligjore, do të ju njoftojmë me kohë për çdo veprim që ndërmarrim.” – thuhet në përgjigjen kësaj ministrie më 24.03.2026.

Nga Komuna e Lipjanit nuk pranuan të flasin, duke u arsyetuar se rasti është duke u hetuar. Por, lidhur me faktin se fëmijët i ishin kthyer familjes më parë, drejtoresha e Qendrës për Punë Sociale në Lipjan, Makfire Shamolli, ishte shprehur se ky vendim ishte marrë nga një grup ekspertësh (kolegjium) si pjesë e procesit gjyqësor dhe se vizitat monitoruese janë bërë “sipas nevojës”.

Hetime për këtë rast, është duke zhvilluar edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, ndonëse në këtë fazë nuk dhanë detaje.

“Lidhur me rastin e Lipjanit për të cilën bëhet fjalë për viktimë të mitur, jemi duke e trajtuar me prioritet të lartë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve dhe masave të nevojshme hetimore për këtë çështje. Duke qenë se rasti ka të bëjë me viktimë të ndjeshëm kaq jemi të obliguar të ofrojmë informata lidhur me rastin.”- tha Kaltrina Shala, zëdhënëse e Prokurorisë së Prishtinës.

Ish-avokati i popullit, Hilmi Jashari, vlerëson se ky rast nuk duhet parë thjesht si një dështim individual, por si një problem i thellë sistemor.

“Ky rast tragjik ngre dyshime serioze për dështim institucional në identifikimin dhe parandalimin e dhunës ndaj fëmijëve.” – tha Jashari.

Ai shtoi se përgjegjësia nuk përfundon tek individët, por shtrihet në nivel sistemik, pasi fëmijët kanë të drejta themelore të garantuara me Kushtetutë dhe Konventa Ndërkombëtare.

“Këto të drejta konsiderohen të drejta pozitive, që nënkupton detyrimet e shtetit për të ndërmarrë veprime proaktive në mbrojtje të fëmijëve.” – shtoi ai.

Sipas Ligjit për të drejtat e fëmijës, mekanizmat institucionalë janë të ndarë në nivel qendror dhe lokal. Në nivel qendror, ato përfshijnë Avokatin e Popullit, ministritë përkatëse, njësinë për qeverisje të mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, Komitetin Ndërministror dhe Këshillin për të Drejtat e Fëmijës. Në nivel lokal, mekanizmat përfshijnë komunën, departamentet përkatëse, qendrat për punë sociale dhe ekipet për të drejtat e fëmijës.

Megjithatë, sipas Jasharit, sistemi është “i fragmentuar, pa një sistem efektiv të shkëmbimit të informacionit dhe me kapacitete të kufizuara”.

Ai theksoi mungesën e psikologëve në shkolla, mbështetje financiare të pamjaftueshme dhe koordinim të dobët ndërinstitucional.

“Të gjitha këto përbëjnë probleme sistemore që tashmë janë evidentuar nga organizata dhe institucione të ndryshme, por mungon përgjegjshmëria dhe llogaridhënia.” –  tha Jashari.

Ai thekson se sistemi aktual është kryesisht reaktiv, duke ndërhyrë vetëm pas ndodhjes së rasteve, në vend që të ketë mekanizma të fortë për parandalim dhe identifikim të hershëm, siç parashikohen nga Konventa për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve dhe ligjet në fuqi.

I pyetur për masat urgjente ligjore dhe institucionale, ish-avokati vuri në pah vonesat në implementimin e ligjeve.

“Nga hyrja në fuqi e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, që parashikonte nxjerrjen e akteve nënligjore brenda një viti, kanë kaluar mbi pesë vjet, dhe ende procesi nuk është i kompletuar. Edhe ligjet për shërbime familjare dhe sociale nuk janë plotësuar në tërësi.” – theksoi ai.

Problemi themelor, sipas tij, mbetet mungesa e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së mekanizmave ekzekutiv.

“Kuvendi i Kosovës ka mandat kushtetues për të mbikëqyrur zbatimin e ligjit dhe për të kërkuar vlerësime për kapacitetet, koordinimin dhe plotësimin e rregullave ligjore. Nëse kjo nuk bëhet, do të mbetet një cikël i rrezikshëm dhe i pashëndetshëm.”-  paralajmëroi Jashari.

Drejtori Ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Akti”, Rexhep Gojnovci, ka vlerësuar se ndryshimet në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë nuk duhet të kufizohen vetëm në përmirësime procedurale apo ligjore, por kërkojnë një qasje të re thelbësore.

Sipas tij, problemi nuk qëndron vetëm te ligjet apo aktet nënligjore, por te mënyra se si institucionet e trajtojnë mbrojtjen e fëmijëve dhe rastet e ndjeshme sociale.

“Na mungon një ndryshim rrënjësor në qasje – nga një sistem reaktiv në një sistem proaktiv, që fokusohet në parandalim dhe identifikim të hershëm të rasteve sociale, veçanërisht kur viktima janë fëmijët” – ka theksuar ai.

Duke iu referuar rastit të fundit në Lipjan, ai ka thënë se ky rast dëshmon se dështimi i sistemit ndodh shumë më herët sesa momenti kur rasti bëhet publik.

“Sistemi nuk dështon vetëm kur ndodh dhuna, por në fazën kur ajo duhej parandaluar”- deklaroi Gojnovci.

Ai ka ngritur shqetësimin se në shumicën e komunave të Kosovës, Qendrat për Punë Sociale funksionojnë me staf të pamjaftueshëm dhe me kushte jo të mjaftueshme për trajtimin e rasteve sociale.

Sipas tij, edhe identifikimi i rasteve nëpër shkolla shpesh bëhet me vonesë, ndërsa në shumë raste ato nuk raportohen fare. Ndërkohë, reagimi i policisë vjen vetëm pasi situatat eskalojnë.

“Nga kjo del qartë se kemi mungesë koordinimi ndërinstitucional, gjë që krijon përshtypjen se mungojnë edhe mekanizmat adekuatë për ndërveprim” – ka shtuar ai.

Drejtori i “Akti” ka theksuar se komunat duhet ta trajtojnë fushën sociale si prioritet, duke rritur kapacitetet profesionale dhe infrastrukturore për shërbimet sociale.

Ai ka rekomanduar gjithashtu funksionalizimin dhe fuqizimin e mekanizmave lokalë, në veçanti mekanizmit për mbrojtjen e fëmijëve dhe tryezave për menaxhimin e rasteve, që burojnë nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e fëmijëve.

Po ashtu, ai ka propozuar që komunat të shqyrtojnë mundësinë e blerjes së shërbimeve sociale nga sektori joqeveritar dhe të ndërtojnë një qasje më proaktive ndaj problemeve sociale, në vend të reagimit vetëm pasi ato të kenë ndodhur.

Sipas një raporti të UNICEF-it, të publikuar  në korrik të vitit 2025, sistemi i mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë vazhdon të jetë i fragmentuar dhe me integrim të pamjaftueshëm ndërmjet sektorëve të arsimit, mirëqenies sociale dhe shëndetësisë, ndërkohë që zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës të vitit 2020 është i mangët.

Identifikimi dhe raportimi i rasteve të dhunës, si dhe trajtimi sistematik i tyre, vazhdojnë të jenë problematike. UNICEF thekson se sigurimi i mbrojtjes efektive dhe kuptimplote për fëmijët kërkon prioritizimin e mekanizmave të zbatimit, alokimin e burimeve të nevojshme dhe forcimin e kapaciteteve ndërinstitucionale dhe ndërmjet palëve të interesuara.

Rasti i Lipjanit ka nxjerrë në pah dyshime për dështim në disa nivele – nga identifikimi i rrezikut, te monitorimi afatgjatë dhe ndërhyrja në kohë.

Qendrat për Punë Sociale në Kosovë përbëjnë një pjesë thelbësore të sistemit të kujdesit social, të krijuara për të mbrojtur qytetarët në nevojë dhe për të ofruar një gamë të gjerë shërbimesh, që nga trajtimi i rasteve të dhunës në familje deri te mbikëqyrja e kujdesit prindëror.

Megjithatë, gjendja aktuale në terren paraqet shqetësime serioze. Mungesa e stafit, objektet që nuk i plotësojnë standardet, si dhe mungesa e hapësirave adekuate për trajtimin e rasteve të ndjeshme janë disa prej problemeve që KALLXO.com ka evidentuar gjatë hulumtimit për QPS-të.