Dëshmitari Halitjaha: "Luli" ishte pseudonimi i Kadri Veselit gjatë luftës

Në Gjykatën Speciale, në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Sadik Halitjaha, ish- zëvëndëskomandant në Zonën Operative të Pashtrikut, gjatë dëshmisë së tij tha se “Luli” ishte pseudonimi i Kadri Veselit gjatë luftës.

Para kësaj, dëshmitarit iu prezantua një dokument nga prokurori James Pace, për të cilin ai tha se ka qenë për transferimin e një luftëtareje nga Zona e Pashtrikut në Zonën e Drenicës.

“Ky dokument ka qenë për transferin e një luftëtareje nga Zona e Pashtrikut në Zonën e Drenicës, është fjala për Kimete Krasniqin” – deklaroi dëshmitari Halitjaha.

Ndërkaq, sipas prokurorit, në këtë dokument përmendet edhe ‘Shef Luli”, gjë për të cilën dëshmitari tha se nuk e di se kush ka mundur të jetë në Drenicë.

“Dikujt iu ka referu këtu, po e shoh nënshkrimin e Tahir Sinanit. Nuk e di pse ‘Shef Luli’, kush ka mujtë me qenë atje në Drenicë, nuk e di” – tha dëshmitari Sadik Halitjaha.

Prokurori e pyeti dëshmitarin nëse ai kishte dëgjuar që dikush t’i referohej ‘Shef Luli” dikujt në vitet 1998-1999 tek UÇK-ja.

“Ka qenë pseudonimi i Kadri Veselit” – tha Halitjaha.

“Dëshmitar a mund ta shihni këtu që dokumenti ka datën 19 gusht 1999 dhe që Halil Çadraku ka qenë ai që e ka nënshkruar si shefi i ZKZ-së?” – e pyeti prokurori Pace dëshmitarin.

Në po këtë dokument, dëshmitari tha se është i vendosur nënshkrimi i Tahir Sinanit dhe Halil Çadrakut. Për Tahir Sinanin, dëshmitari tha se ka qenë komandant i tij në Zonën e Pashtrikut.

Ndërsa, për Halil Çadrakun dëshmitari deklaroi se ka pasur të drejtë të nënshkruajë, pasi ende nuk ishte transformuar UÇK-ja në TMK.

Aktakuza fillestare kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.