Deputetja Pacolli dhe ministrja Haradinaj përplasen mes vete për djalin e Haxhi Halës

Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli ka kërkuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme Melisa Haradinaj të tregoj se çfarë procedure e ka ndjekur kur i ka rekomanduar presidentit të dekretoj Flakron Shalën konsull të përgjithshëm.

“Më 28 shtator 2020 ju si ministër i keni rekomanduar presidentit dekretimin e djalit të deputetit Haxhi Shala zotëri Flakron Shala konsull të përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë. Me datë 20 tetor Thaçi e ka nënshkruar dekretin. Ne si deputetë nuk jemi informuar për asnjë procedurë që ju si ministre e keni ndjek për këtë rast”, tha ajo.

Melisa Haradinaj, Ministre e Punëve të Jashtme është përgjigjur se secili emërim i konsujve të përgjithshëm edhe këtë vit është propozuar në përputhje me dispozitat kushtetuese ligjore si dhe praktikën e deri tanishme 12 vjeçare.

“Është e drejtë ligjore e Ministrit të Punës së Jashtme të bëjë rekomandime te presidenti për emërimin e konsujve të përgjithshëm. Legjislacioni i aplikueshëm në politikën dhe shërbimin e jashtëm e njeh mundësinë e emërimit të shefave të misionit përmes çelësave politik dhe sipas kuotës jo më shumë se 50 për qind”, tha ajo.

Haradinaj shtoi se të gjitha vendimet e saj janë në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjet.

Ajo tha se tani po punohet në draft Ligjin për shërbimin e jashtëm i cili sipas saj do të zvogëloj ndjeshëm kuotën e emërimeve politike dhe do të ofroj saktësi juridike për diplomatët e karrierës.

Ajo ka kërkuar nga deputetët të kontribuojnë në draft ligjin e ri.

E replika e deputetes Pacolli ishte që ministrja të paraqitet në komision e jo ta ndërpres mbledhjen.

“Ministre duhesh me pas guximin me u paraqit në Komision edhe kur kemi media pra mos mu fsheh me than unë vij veç kur nuk ka media. Ne e kemi shembullin kur ju i keni ikë përgjegjësisë e keni ndërprerë mbledhjen në mes”, tha ajo.

Ministrja Haradinaj shtoi se nuk është votuar ligji i ri që ka ardhur në Kuvend para dy viteve ndërsa tani është duke u punu në ligj të ri.

“Nuk kam asnjë presje as një pikë për t’i shtuar përgjigjes suaj. Asnjëherë nuk i kam ikë Komisionit për Punë të Jashtme. Ju inkurajoj edhe më tutje të më ftoni. Deputete ju kam ftuar edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme për konsultime dhe nuk jeni ardhur”, tha Haradinaj.

Për Ligjin e ri ka folur edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës duke thënë se arsyeshmëria pse nuk është votuar ligji ka qenë për shkak të tendencës për politizim të skajshëm.