Deputeti i LVV-së: Amerikanët na kanë quajtur terroristë

Deputeti i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Humolli, ka thënë se amerikanët na kanë quajtur terroristë.

Këtë deklarim ai e bëri pas diskutimeve për projektin e gazsjellësit amerikan.

“Këtu nuk ka deputet amerikan, të gjithë jemi të Kosovës, Amerika i mbron interesat e veta, nuk kemi nevojë ne t’i mbrojmë ato. Ne këtu po bëjmë garë kush po i do më shumë interesat amerikane e jo shqiptare”, ka thënë ai.

Humolli madje iu drejtua Ramush Haradinajt se amerikanet na kanë quajtur terroristë.

Ai shtoi se miqësia me ShBA-në nuk ruhet duke shkelur mbi interesat tona.

“Amerikanët na kanë thënë se jemi terrorista, sidomos ty Ramush, edhe nuk i ke dëgjuar. Nuk mund të ruhet miqësia duke shkelur mbi interesat tona. Ata kanë më shumë interesa ekonomike në Serbi sesa te ne”, shtoi tutje Humolli.

Këtë deklarim deputeti Humolli e bëri në seancën plenare të Kuvendit ku po diskutohet për krizën me energjinë dhe mospranimin e projektit për gazsjellësin amerikan.