Adresimi i presidentes Vjosa Osmani në Kuvendin e Kosovës. Foto: Arjana Berisha

PDK dhe AAK bojkotojnë adresimin e presidentes Osmani në Kuvend

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë bojkotuar seancën e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur me kërkesën e presidentes, Vjosa Osmani, për ta bërë adresimin vjetor. 

Deputetët e PDK-së e as të AAK-së nuk janë parë në sallën plenare, me përjashtim të Albena Reshitajt.

Me një varg arsyetimesh, PDK parajmëroi paraprakisht që do ta bojkotojnë këtë seancë me pretendimet se e para e vendit “ka vazhduar të sillet me mospërmbushje shqetësuese të rolit dhe funksionit të saj kushtetues”.

“Znj. Osmani si presidente duke qenë njëkohësisht edhe udhëheqëse e politikës së jashtme ka dështuar përfundimisht në realizimin e ndonjë suksesi të vetëm në përfaqësimin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar të Kosovës”- shkruan PDK në Facebook.

Sipas kësaj partie, Osmani, si presidente, nuk ka arritur që Kosovës t’i siguroj qoftë edhe një njohje të vetme, siç ka “dështuar në fushën e antarësimit të vendit në ndonjë organizatë ndërkombëtare”.

Për më tepër, PDK ka pretenduar se si presidente, Osmani ka vazhduar të qëndroj e heshtur ndaj masave dhe sanksioneve që BE i ka vënë Kosovës.

“Znj. Osmani edhe në vitin e katërt të mandatit të saj, ka vazhduar të sillet në shpërputhje të plotë me rolin e saj kushtetues për të përfaqësuar unitetin e popullit duke demonstruar njëanëshmëri ndaj Albin Kurtit”- shkruan PDK.

Arsyetimi tjetër i tyre është që Osmani si Komandante Supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka heshtur përballë çështjes së ushqimit për ushtarët e FKS-së, duke e quajtur “skandali të pashembullt të dështimit të sigurimit të ushqimit për ushtrinë.”

Partia opozitare gjithashtu e ka akuzuar Osmani se ka vazhduar të hesht edhe përballë “aferave të vazhdueshme korruptive të qeverisë”, dhe se nuk ka marrë masë për shkarkimin e ambasadorit Martin Berishaj.

Me aktin më të lartë juridik të shtetit është e përcaktuar që sё paku një herë në vit kreu i shtetit t’i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj.

Më 4 prill 2021, presidentja Vjosa Osmani, me 71 vota në rundin e tretë të votimit, mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesë-vjeçar.

Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e partisë Lëvizja Vetëvendosje, doli personi më i votuar në vend me mbi 300 mijë vota.

Dy ditë më herët, ajo i ka kthyer për herë të parë në Kuvend dy ligje. Bëhet fjalë për Ligjin për Këshillin e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

I pari është kthyer me arsyetimin se me përmbajtjen aktuale e rrezikon sigurinë kombëtare dhe është në kundërshtim me Kushtetutën, ndërsa i dyti është kthyer me arsyetimin se disa dispozita të tij rrezikojnë mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të qytetarëve, të drejta këto të garantuara me Kushtetutë.