Deputetët e LVV-së, Dugolli e Rrustemi reagojnë ndaj deklaratës së deputetit Anton Quni në Kuvend

Deputetët e LVV-së, Enver Dugolli e Adnan Rrustemi i kanë reaguar deputetit të LDK-së, Anton Quni, i cili i ka kritikuar ashpër deputetët e Kuvendit të Kosovës për dështimin e zgjedhjes së komisionerit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Dugolli tha se deputeti Quni ka qenë i larguar nga FSK-ja sepse nuk e ka kaluar verifikimin që na e ka bërë NATO.

“Antoni Quni ka qenë i larguar nga FSK-ja sepse nuk e ka kaluar verifikimin që na e ka bërë NATO. Ky ka qenë kushti kryesor për të qenë oficer i denjë i FSK-së, prandaj kur flet për ndershmëri e moral, është mirë ta ketë parasysh edhe këtë”- ka shkruar ai në Facebook.

Ndërsa deputeti Adnan Rrustemi i ka shpërndarë listat me emrat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që kanë votuar për Asociacionin më 27 qershor 2013, e krijimit të Gjykatës Speciale në gusht 2015.

Rrustemi ka thënë se Quni ka votuar pro këtyre pikave.

“Anton Quni ka votuar PRO Zajednicës më 27 qershor 2013, PRO faljes e kriminelëve serbë më 11 korrik 2013 dhe PRO Gjykatës Speciale dy herë, më 26 qershor dhe 3 gusht 2015. E tash po flet për patriotizëm shqiptar e luftë çlirimtare! Turp o Quni!”- ka shkruar ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka kritikuar ashpër deputetët e Kuvendit të Kosovës për dështimin e zgjedhjes së komisionerit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Jeni vetë të pavlefshëm”, u tha Quni kolegëve të tij, deputetëve, që fletëvotimet i bën të pavlefshme dje gjatë votimit të kësaj pike.

“Shumica prej jush vizitoni e nderoni luftëtarët e renë në beteja, por një pjesë e juaja nuk e keni me zemër, nuk keni fare respekt për ato ngjarje. E keni farsë dhe mashtrim. Ju që nuk votuat jeni vetë të pavlefshëm. Për juve vetëm luftëtari i vdekur është i mirë. Do të ju mbulojë turpi….”- u shpreh ai.

Dje Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedh komisionerin për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kandidatët Fadil Hadegjonaj e Fetah Zejnullahu nuk arritën të marrin votat e deputetëve, në të dy rundet e votimit.

Quni-deputetëve për mosvotimin e komisionerit për FSK-në: Jeni vetë të pavlefshëm