Quni-deputetëve për mosvotimin e komisionerit për FSK-në: Jeni vetë të pavlefshëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni ka kritikuar ashpër deputetët e Kuvendit të Kosovës për dështimin e zgjedhjes së komisionerit për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Jeni vetë të pavlefshëm”, u tha Quni kolegëve të tij, deputetëve, që fletëvotimet i bën të pavlefshme dje gjatë votimit të kësaj pike.

“Shumica prej jush vizitoni e nderoni luftëtarët e renë në beteja, por një pjesë e juaja nuk e keni me zemër, nuk keni fare respekt për ato ngjarje. E keni farsë dhe mashtrim. Ju që nuk votuat jeni vetë të pavlefshëm. Për juve vetëm luftëtari i vdekur është i mirë. Do të ju mbulojë turpi….”- u shpreh ai.

Fjalimi i Qunit ka nxitur reagimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca i cili ka kërkuar nga deputeti i LDK-së, të ketë kujdes me fjalorin e përdorur.

Dje Kuvendi i Kosovës ka dështuar ta zgjedh komisionerin për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kandidatët Fadil Hadegjonaj e Fetah Zejnullahu nuk arritën të marrin votat e deputetëve, në të dy rundet e votimit.

Në rundin e parë, Fadil Hadergjonaj mori 27 vota, ndërsa Fetah Zejnullahu 11 vota, kurse 41 vota ishin të pavlefshme.

Deputeti Anton Quni ka thënë sot se të gjithë kandidatët i plotësonin kushtet, ndërsa ka folur për kandidatin Fadil Hadergjonaj, të cilin tha se njeh personalisht.

“Një nga protagonistët kryesorë në betejën e Loxhës dhe Koshares. Ju vërsulen me tanke, artileri, aviacion, të gjithave u përballoj pa u zmbrapsur. Fadilit prindërit janë kanë besu jetën e fëmijëve të tyre e ju nuk ja besuat votën që të kujdeset për ushtarët”- tha ai.

Dje Kryetari i Kuvendit tha që votat që kanë marrë dy kandidatët janë të pavlefshme andaj konkursi duhet të përsëritet brenda 60 ditëve.

Garës për komisioner, i kishte hyrë edhe Hilmi Jashari, por sipas kryetarit të Komisionit për Siguri, Bekë Berisha, ai është tërhequr nga gara më 27 shtator.

“Komisioni ka zhvilluar procedurat për zgjedhjen e komisionerit parlamentar për FSK-në. Konkursi është shpallur më 7 nëntor 2022, numri i kandidatëve që aplikuan ishte 11, pas shqyrtimit komisioni vlerësoi se 8 prej kandidatëve i plotësojnë kriteret ligjore për tu ftuar në intervistë, komisioni më 14 shkurt ka zhvilluar procedurën e intervistimit, dhe ka vlerësuar se 3 kandidatët janë: Ilmi Jashari 76 pikë, Fadil Hadergjonaj 74 pikë, Fetah Zejnullahu 69 pikë”- tha ai.

Sipas Ligjit për Komisionerin Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, Komisioneri ka për mision fuqizimin e kontrollit parlamentar, sundimit të ligjit, dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut për personelin ushtarak në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kuvendi dështon ta zgjedh komisionerin për FSK-në, përsëritet konkursi