Deputetët e AAK-së nuk flasin për dënimin e kolegut të tyre të partisë

Gjykata e Prishtinës ka shpallur aktgjykimin për ish-ministrin e infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarin e tij politik, Eset Berishën dhe dy zyrtarët e lartë të Ministrisë, Nebih Shatrin dhe Besm Tahirin

Lekaj dhe të tjerët u shpallën fajtorë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Disa nga kolegët deputetë të Lekajt nga AAK në Kuvendin e Kosovës nuk kanë pranuar ta komentojnë vendimin e gjykatës, derisa disa të tjerë nuk kanë qenë të qasshëm.

Deputeti Bekë Berisha tha se nuk i komenton vendimet e Gjykatës.

“Pse duhet me i komentu unë vendimet e Gjykatës. Ja valla, nuk kam perceptim” – tha shkurtimisht Bekë Berisha për KALLXO.com.

Ngjashëm edhe kolegu tjetër i Lekajt në Kuvend, Shemsedin Dreshaj tha se nuk komenton çështje që nuk kanë të bëjnë me shëndetësinë dhe arsimin.

“Nuk kam pa kurrgjë edhe unë zakonisht për çështjet që nuk i takojnë arsimit dhe shëndetësisë, unë nuk involvohem në to” – tha Dreshaj.

Albana Bytyçi, tjetër deputete e AAK-së tha se nuk ka koment për këtë vendim.

“Jo për besë nuk kam asnjë koment, më vjen keq” – tha Bytyçi.

KALLXO.com tentuar të marrë koment edhe nga deputetët e tjerë të AAK-së, Besnik Tahiri, Time Kadrijaj dhe Albena Reshitaj, por që ata nuk ishin të qasshëm në telefon.

Në lidhje më dënimin ka reaguar edhe ish-ministri Pal Lekaj.

Zyra për Media e AAK-së ka dërguar një reagim të deputeti Pak Lekaj pas shqiptimit të dënimit nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Lekaj përmes këtij reagimi, paralajmëroi ankimim të vendimit në Gjykatë të Apelit, duke thënë se është i bindur që vendimi do të shpallet i pavlefshme.

“Kundërshtarëve te mi politikë u them të mos gëzohen para kohe, sepse e drejta që do të dalë në shesh shumë shpejt do t’i zhgënjejë” – ka thënë deputeti Lekaj.

‘E njoftoj opinionin e gjerë publik se asnjëherë nuk i kam tejkaluar kompetencat e mia e nuk e kam keqpërdorur pozitën e ministrit, kjo as në rastin e Autostradës “Arbën Xhaferi”! I bindur në pafajësinë time dhe  në drejtësi!” – thuhet mes tjerash në reagimin e Lekajt.

Reagon Pal Lekaj: Jam i bindur në pafajësinë time dhe në drejtësi

Akuza e ngritur nga prokurorët Atdhe Dema dhe Valdet Gashi, e bënte përgjegjës Pal Lekajn për aferën e 53 milionëve për ‘Bechtel & Enka’

Sipas aktakuzës, kompania “Bechtel & Enka” mori 53 milionë shtesë në tenderin për autostradën Prishtinë – Han i Elezit.

Gjykata në vendimin e sotëm kishte gjetur se këto 53 milionë u dhanë kundërligjshëm dhe Pal Lekaj u shpall fajtor sepse kundërligjshëm kishte nënshkruar këtë marrëveshje.

Gjykata konstatoi poashtu se Pal Lekaj kishte ndikuar përmes këshilltarit të tij Eset Berisha tek Shefi i Zyrës Ligjore brenda Ministrisë, për të ndërruar opinionin ligjor mbi 53 milionëshin.

Ministria e Infrastrukturës kishte kontratë me një kompani të huaj “Hill International”, që duhej ta mbikëqyrte projektin e autostradës “Prishtinë – Hani i Elezit”.

Lekaj është gjetur fajtor nga Gjykata se opinionin e kësaj kompanie mbi pagesën e 53 milionëve e kishte fshehur nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror, ku Lekaj ishte kryesues.

Në këtë opinion, thuhej se nga 53 milionë euro, vetëm 14 milionë janë të arsyetuara si pagesë që duhej bërë.

Përveç ish-ministrit Pal Lekaj, në këtë gjykim janë dënuar edhe tre persona të tjerë.

Ish-këshilltari i Lekajt në Ministrinë e Infrastrukturës, Eset Berisha është dënuar po ashtu me 3 vjet e 3 muaj.

Ndërsa dy zyrtarët e tjerë të ministrisë, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri janë dënuar me nga 1 vit e 8 muaj burg secili.

’53 Milionëshi’ – Pal Lekajn dhe të tjerët Gjykata Themelore i gjen fajtorë