Shpallja e aktgjykimit për krime lufte ndaj Nenad Arsiq
Dënohet me burg i akuzuari për krime lufte në Prishtinë
Ish-polici rezervist serb, Nenad Arsiq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë u dënua sot nga Gjykata e Prishtinës.
Atij iu shqiptuan 6 vite burg në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit.
Shpalljen e aktgjykimit e bëri gjykatësja e departamentit special Albina Shabani- Rama
Të pranishëm ishin edhe të dëmtuarit Jakup e Skender Shala dhe Isak Shala.
Si dhe i akuzuari dhe mbrojtësi i tij avokati Dejan Vasiç.
Sipas aktakuzës, Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.
Kujtojmë se Gjykata kishte njoftuar në seancën e kaluar se më 1 dhjetor ka pranuar aktakuzën e ndryshuar ndaj të pandehurit Nenad Arsiq, nga Prokuroria Speciale, ku i akuzuari, tani nuk do të gjykohet për dy vepra penale por vetëm për një vepër penale.
Prokurorja Shamolli, kishte thënë se ka ndryshur aktin akuzues sa i përket cilësimit juridik të veprave penale.
Prokuroria Speciale thotë se Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.
Gjithnjë sipas Prokurorisë, pasi i akuzuari Arsiq dhe personat e tjerë kishin shkuar te familja Shala, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kanë kërkuar që të largohen të gjithë personat, por pasi aty kishin mbetur Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari me dashje ka vepruar në mënyrë ç’njerëzore duke cenuar integritetin trupor, shëndetin mendor, mirëqenien, duke i rrahur të dëmtuarit për një kohë të gjatë me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit.
Prokuroria thotë se Nenad Arsiq e kishte detyruar të dëmtuarin Jakup Shala ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore pas rrahjes së gjatë të pinte alkool dhe të këndonte këngën serbe “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je mala” (Kush po thotë, kush po gënjen që Serbia është e vogël), një këngë serbe e cila gjatë viteve 1990 kishte frymëzuar forcat serbe të ushtronin represion ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Aktakuza thotë se të dëmtuarit edhe sot vuajnë nga pasojat e dhunës së shkaktuar atë ditë nga forcat e armatosura serbe.
Tutje Prokuroria pretendon se ditën e njëjtë, i akuzuari Arsiq së bashku me personat kishte përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir” veprim i cili, sipas aktakuzës, nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.
Sipas Prokurorisë, nga familja Shala pjesëtarët e Policisë serbe kishin marrë 3,200 litra naftë të mbushur në fuçi, 200 mijë marka gjermane, 5 automjete dhe një traktor.
Krimet e luftës në lagjen “Emshir” në Prishtinë, Prokuroria kërkon të dënohet Nenad Arsiq