Gjykimi ndaj policëve kufitarë në Leposaviq FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Dëgjohet dëshmitari i radhës në gjykimin e policëve të Leposaviqit

Në seancën ndaj policëve kufitarë në Leposaviq, Ana Vasoviq Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar, keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti, është dëgjuar dëshmitari i radhës.

Dëshmitari prezent Milan Saviq, deklaroi se ka qenë i detyruar që të kalojë në rrugë alternative që nga 2014-ta, e kjo për arsye se në atë kohë Policia e Kosovës nuk i ka pranuar dokumentet e Serbisë dhe Serbia nuk i ka pranuar dokumentet e Kosovës.

“Kam familje 8 anëtarëshe që askush nuk punon pos meje dhe është dashur të shftytëzojmë kalimet alternative ku nuk ka pasë patrulla të Policisë. Ndonjëherë na kanë kthyer, e ndonjëherë na kanë tërhequr verejtjen se nuk mund të kalojmë, ne s’kemi pasur tjetër zgjidhje dhe kemi filluar të kalojmë në ato rrugë”, deklaroi dëshmitari Saviq.

Ai shtoi se zyrtarët policorë kanë funksionuar me ndërrime.

“Policët na kanë thënë që ne jemi të obliguar t’i paraqitemi, komandantit Rade Radosavljeviq. Ata na kanë thënë se “mund të kaloni, por mund të kaloni nëse jepni një shumë të hollash”, kjo shumë të hollash ka qenë 30 euro e pastaj është rritur në 50 euro”, shtoi dëshmitari Saviq.

Tutje ai tha se Ana Vasoviqin e njeh vetëm si figurë dhe se nuk e din nëse ajo është lajmëruar në telefon gjatë kohës kur atij i është dashur të lajmërohet, për shkak të qarkullimit në rrugët alternative.

Dëshmitari Saviq poashtu tha se atij i janë marrë 5 kamiona me 20 kub drurë dhe se për dy vite nuk ka mundur të paguajë dënimet, pastaj përmendi se është ankuar në Prishtinë për këtë.

Prokuroria Speciale akuzon, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosaljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq.

Sipas aktakuzës, që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet vete, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror duke keqpërdorur detyrën dhe pranuar ryshfet, me veprimtarinë e tyre kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar.

E këtë thuhet se e kanë bërë, duke funksionuar si grup kriminal i organizuar që është marrë me kontrabandë të mallrave ushqimore, transport të drurëve, barnave dhe derivateve nga Serbia në Republikën e Kosovës.