Gjykimi i ish ministrit Rikalo dhe të tjerëve, dëshmitarja: Kisha detyrë të caktoj takimet e grupit

Në seancën ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo dhe 7 ish-zyrtarëve të tjerë të akuzuar për korrupsion, është dëgjuar dëshmitarja Danica Llaban.

Në këtë rast po akuzohen, Nenad Rikalo, Kapllan Halimi, Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkëlzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri, të cilët dyshohet se në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) i kanë shkaktuar dëme buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 4 milionë eurove.

Dëshmitarja deklaroi se ka qenë udhëheqëse e grupit punues, për përpilimin e programit.

“Ministri më ka thënë që detyra ime është caktimi i takimeve të grupit dhe të përcjellë punën e grupit”, tha dëshmitarja.

Ajo shtoi se ka marrë 2 programe nga ministri Rikalo dhe se ai e ka lutur gojarisht që të kërkojë nga drejtoresha Shqipe Demaj aktin përcjellës për këto dy programe.

“Kur unë ia kam përcjellë kërkesën Shqipe Demajt nga ministri Rikalo, ajo ka thënë se s’mund të dërgohet kështu akti përcjellës dhe se ekziston procedura, ajo është thirrur në urdhëresën 37/12 më duket se neni 7, duke thënë se s’është e mundur kështu dhe se ekzistojnë procedura që me qenë kjo e ligjshme. Ajo më ka thënë që programi nuk është i ligjshëm deri sa nuk shndërrohet në udhëzim administrativ dhe procedura ka rrjedhë ashtu siç ka thënë ajo”, tha dëshmitarja.

Pastaj ajo ceku se ministri Rikalo ka nënshkruar vendimin për këto dy masa, sekretari ka emëruar grupet punuese dhe pastaj kanë filluar punën.

Ajo tha se projektprogrami është punuar nga Ekrem Gjoka dhe se njëra nga dy masat e cekura më lartë ka pasur të bëjë më investime në infrastrukturë dhe zhvillim rural, ndërsa masa e dytë ka pasur të bëjë me veriun e Kosovës, respektivisht me viset rurale në atë pjesë.

KALLXO.com kishte raportuar për Ministrinë e Bujqësisë, e cila në vitin 2018 i kishte ndarë 2 milionë euro për të përkrahur zhvillimin e bujqësisë në Mitrovicën e Veriut.

Favorizimi i kësaj komune ishte në kundërshtim me Planin Kombëtar për Bujqësi, i cili mbulon gjithë Kosovën dhe nuk parasheh favorizime të komunave apo rajoneve të caktuara.

Pas hartimit të këtij programi, Ministria në fjalë e kishte shpallur thirrjen për aplikim për këtë program prej 2 milionë eurove, për “ngritja e aftësisë konkurruese në sektorin e bujqësisë, pylltarisë përmes përfshirjes së komunitetit në zhvillimin rural në regjionin e Mitrovicës së Veriut”.

Derisa në dokumentin e nënshkruar nga ministri thuhet, se këto 2 milionë euro do të ndahen në rajonin e Mitrovicës, në thirrjen e publikuar ka qenë më specifike. Në thirrje thuhet se këto mjete do të ndahen për Mitrovicën e Veriut.

Sipas aktakuzës, Nenad Rikalo, në cilësinë e ministrit në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt, ka vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur në mes të masave me programin e rregullt.

Po ashtu, Rikalo më 26 mars 2018 dyshohet që në mënyrë të kundërligjshme ka lëshuar vendimin për hartimin e politikave të reja, për zhvillim të mëtutjeshëm të infrastrukturës rurale dhe ngritjes së konkurrencës në zonat rurale më pak të zhvilluara, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

I akuzuari tjetër, Kapllan Halimi, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë, sipas Prokurorisë “ka tejkaluar kompetencat e tij, duke nxjerrë në mënyrë të kundërligjshme vendimin për t’ju mundësuar përfitim të paligjshëm disa kompanive të ndryshme, duke formuar një grup prej 11 anëtarëve për përgatitjen e investimeve në infrastrukturë rurale, duke qenë në dijeni se grupi në fjalë nuk ka qenë kompetent për këtë punë”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë së Shtetit.

https://kallxo.com/ligji/deshton-seanca-ndaj-nenad-rikalos-dhe-te-tjereve-te-akuzuar-per-korrupsion/