Krimet e luftës në lagjen “Emshir” në Prishtinë, Prokuroria kërkon të dënohet Nenad Arsiq

Gjykimit ndaj ish policit rezervist serb, Nenad Arsiq, i akuzuar për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë, i erdhi fundi.

Në seancën e sotme, në fjalën e saj përfundimtare, Prokuroria Speciale ka kërkuar dënimin e të akuzuarit.

Sipas aktakuzës, Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Prokurorja Drita Hajdari në fjalën përfundimtare tha se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ndryshuar, duke shtuar se gjendja faktike nga aktakuza në tërësi është vërtetuar në këtë shqyrtim gjyqësor.

Tutje Hajdari tha se nuk ka asnjë dilemë që në këtë raste viktimat Jakup e Skender Shala kanë përjetuar një torturë të rëndë nga i akuzuari Arsiq, në kohën e luftës në Kosovë, ku i njëjti kishte qenë i veshur me uniformë të policisë.

“Konsideroj se nuk ka asnjë dilemë që viktimat Jakup e Skender Shala kanë përjetuar një torturë të rëndë nga i akuzuari në kohën e luftës në Kosovë kur i akuzuari Arsiq ishte i mobilizuar dhe i veshur me uniformë e Policisë rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë”, tha prokurorja Hajdari.

Më pas prokurorja Drita Hajdari tha se palët e dëmtuara në këtë rast kanë pohuar se Nenad Arsiq ishte ai person që më 21 maj të vitit 1999 kishte hyrë  në shtëpinë e tyre dhe i kishte torturuar.

“Gjatë tërë procedurës Jakupi dhe Skenderi kanë pohuar se Nenadi është ai person që më 21 maj 99 hyri me policë të tjerë, i ka torturuar, i ka rrahur, i kanë sharë, madje edhe Jakupin e kanë detyruar me pi raki e me këndu këngë nacionaliste serbe”, tha prokurorja.

Prokurorja Hajdari nga Gjykata kërkoi që të akuzuarin ta shpallë fajtorë për veprën penale dhe ta dënojë sipas ligjit, duke shtuar se të dëmtuarve duhet t’u kompensohet dëmi i shkaktuar nga i akuzuari.

Kurse pala e dëmtuar në këtë rast, Isak Shala, tha se e përkrah në tërësi fjalën përfundimtare të Prokurorisë, duke i propozuar Gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor.

“Si të dëmtuar i propozoj Gjykatës të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. Sa i përket kërkesë pasurore juridike konsideroj se për shumat që janë theksuar në fjalën përfundimtare, ta obligojë të akuzuarin t’i kompensojë kurse për lëndimet dhe dhimbjet shpirtërore dhe dëmin material nëpër shtëpi të na udhëzojë në kontest civil”, tha i dëmtuari Shala.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Arsiq, avokati Dejan Vasiq, ka kërkuar që i mbrojturi i tij në mungesë të provave të lirohet nga akuza.

Sipas avokatit Vasiq deklaratat e të dëmtuarve të dhëna në Polici, Prokurori dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor ishin kundërthënëse.

“Të dëmtuarit kanë dhënë deklarata të ndryshme, pasi konsideroj se bëhet fjalë për deklarata që janë skajmërisht të papërputhshme të cilat dallojnë në të gjitha hollësitë e rëndësishme, të cilat nuk do të mund të besojë askush, e vetmja që është e sigurt dhe e vërtetë që asnjëherë nuk e kemi kundërshtuar është se këta janë rrahur brutalisht”, tha avokati.

Sipas mbrojtjes, prokurorja në aktakuzë kishte theksuar se të dëmtuarve Jakup dhe Skender Shala u ishin shkaktuar lëndime të rënda, fakt i cili sipas tij nuk ishte vërtetuar, pasi sipas tij nuk ishte dëgjuar kurrfarë eksperti dhe se nuk kishte prova se të dëmtuarit ishin shëruar tek ndonjë mjek, ku sipas avokatit krejt çka dihet ishte video-incizimi se të dy ishin rrahuar atë ditë, por nuk ishte vërtetuar natyra e lëndimit.

Tutje shtoi se as intensiteti i vuajtjeve psikike, sipas tij nuk mund të verifikohet, pasi nuk ishte dëgjuar asnjë mjek apo psikiatër.

Kurse lirimin nga akuza e ka kërkuar edhe vetë i akuzuari Arsiq.

I akuzuari Arsiq më pas tha se njëri nga të dëmtuarit atë e ka parë vetëm në Gjykatë.

“Dua të deklaroj se Jakupi gjatë gjithë jetës sime më ka parë dy herë, ndërsa Skenderi më ka parë këtu në gjykatë, tash po hamendësoj se si kanë mundur të më përshkruajnë si biond, 1.75 ndërsa unë jam 1.80, që jam 30-35 vjeçar, që do të thotë se më kanë përshkruar të kundërtën e asaj që dukem unë”, tha i akuzuari.

Tutje ai shtoi se të gjithë dëshmitarët në këtë rast kanë vdekur, ku sipas tij i gjithë ky tregim nga të dëmtuarit është i shpikur.

“Për fatin tim të keq të gjithë dëshmitarët kanë vdekur. Ky tregim është i shpikur, unë po ju garantoj se e tëra është e shpikur. Në regjinë e kujt nuk e di. Ai që ka qenë iniciator i kësaj ka harruar se Skenderi dhe Jakupi nuk janë aktorë profesionistë që kanë ditur ta luajnë rolin mirë. Mua më dhimbsen për atë që u ka ndodhur. Unë s’e kam bërë këtë. Jam i pastër para Zotit dhe para njerëzve. Unë i respektoj të gjithë njerëzit, pa marrë parasysh racën, fenë, sepse kështu më kanë mësuar prindërit e mi”, tha i akuzuari Arsiq.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Albina Shabani-Rama njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 24 dhjetor.

Kujtojmë  se Gjykata kishte njoftuar në seancën e kaluar se më 1 dhjetor ka pranuar aktakuzën e ndryshuar ndaj të pandehurit Nenad Arsiq, nga Prokuroria Speciale. Ku i akuzuari, tani nuk do të gjykohet për dy vepra penale por vetëm për një vepër penale.

Prokurorja, Drita Hajdari kishte thënë se ka ndryshuar aktin akuzues sa i përket cilësimit juridik të veprave penale.

Prokuroria Speciale thotë se Nenad Arsiq, si pjesëtar i forcave policore të njësisë rezervë të Serbisë, në mëngjesin e datës 21 maj të vitit 1999, në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar ka marrë pjesë në aksionin kundër popullatës civile shqiptare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, pasi i akuzuari Arsiq dhe personat e tjerë kishin shkuar te familja Shala, në lagjen “Emshir” në Prishtinë, kanë kërkuar që të largohen të gjithë personat, por pasi aty kishin mbetur Jakup dhe Skender Shala, i akuzuari me dashje ka vepruar në mënyrë çnjerëzore duke cenuar integritetin trupor, shëndetin mendor, mirëqenien, duke i rrahur të dëmtuarit për një kohë të gjatë me shkopinj në pjesë të ndryshme të trupit.

Prokuroria thotë se Nenad Arsiq e kishte detyruar të dëmtuarin Jakup Shala ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore pas rrahjes së gjatë të pinte alkool dhe të këndonte këngën serbe “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je mala” (Kush po thotë, kush po gënjen që Serbia është e vogël), një këngë serbe e cila gjatë viteve 1990 kishte frymëzuar forcat serbe të ushtronin represion ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Aktakuza thotë se të dëmtuarit edhe sot vuajnë nga pasojat e dhunës së shkaktuar atë ditë nga forcat e armatosura serbe.

Tutje Prokuroria pretendon se ditën e njëjtë, i akuzuari Arsiq së bashku me personat kishte përvetësuar një pjesë të pasurisë së banorëve shqiptarë në lagjen “Emshir” veprim i cili, sipas aktakuzës, nuk mund të justifikohet me nevojat ushtarake.

Sipas Prokurorisë, nga familja Shala pjesëtarët e Policisë serbe kishin marrë 3,200 litra naftë të mbushur në fuçi, 200 mijë marka gjermane, 5 automjete dhe një traktor.