Policët e akuzuar për krim të organizuar ballafaqohen me deklaratat e dëshmitarëve

Ana Vasoviq Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq – polic kufitar në Leposaviq, të akuzuar nga Prokuroria Speciale për krim të organizuar, keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti, janë ballafaquar me rrëfimet e dëshmitareve në gjykatë.

Në këtë rast kanë qenë të akuzuar edhe Aleksandër Dimitrijeviq dhe Darko Saviq për kontrabandë me mallra, mirëpo të njëjtit kanë pranuar fajësinë dhe u është shqiptuar dënimi.

Në këtë seancë janë dëgjuar dëshmitarët Sasha Jevtiq, Mirosllav Rakoviq dhe Dejan Sekuliq.

Në dëshmitë e tyre, secili pranoi faktin se kjo veprimtari e tyre ka filluar pas hyrjes në fuqi të tarifës 100% nga ana e RKS, mirëpo secili qartazi potenconin se të pandehurit kanë punuar nën udhëheqjen e komandantit të stacionit policor Rade Radosavljeviq dhe eprorë kanë pasur të pandehurin tjetër Millan Jovanoviq apo i njohur me nofkën ‘Llaki’, që gjenden në arrati.

Dëshmitari Dejan Sekuliq, gjithashtu theksoi se tani të akuzuarit vetëm kanë dëgjuar urdhrat dhe nuk janë ata që duhet të akuzohen për këtë vepër.

“Mua më dhimbsen këta policë, sepse ka shumë policë të tjerë që kanë më shumë pushtet sesa këta këtu dhe janë në liri”, tha Sekuliq.

Gjyqtarja e rastit, Albina Rama seancën e radhës e caktoi me datë 21 prill 2021.

Sipas aktakuzës, Prokuroria Speciale akuzon, Ana Vasoviq-Baraq, Veroljub Dimitrijeviq dhe Izet Uskoviq se nga viti 2016 e deri në vitin 2019, në vazhdimësi, në bashkëpunim edhe me të pandehurit Rade Radosavljeviq, Milan Jovanoviq dhe Dragan Radojeviq, të cilët gjenden në arrati, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurit Rade Radosavljeviq, komandant i stacionit në SPMK Leposaviq.

Sipas aktakuzës,  që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëpunim ndërmjet veti, me dashje dhe me qëllim të përfitimit pasuror duke keqpërdoruar detyrën dhe pranuar ryshfet, me veprimtarinë e tyre kanë kryer veprën penale të krimit të organizuar duke funksionuar si grup kriminal i organizuar që është  marrë me kontrabandë të mallrave ushqimore, transport të drurëve, barnave dhe derivateve nga Serbia në Republikën e Kosovës.