Prokuroria, kërkon të dënohet i akuzuari për krime lufte, Zoran Gjokiq
Në gjykimin ndaj Zoran Gjokiq, i akuzuar për krime lufte të kryera gjatë muajve mars-prill të vitit 1999, në lagjen Kristal të Pejës, është dhënë fjala përfundimtare.
Prokurorja Habibe Salihu dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Kujtim Kërveshi kanë kërkuar që Gjokiq të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit, kurse mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ljubomir Pantoviç ka kërkuar lirim nga akuza.
Prokurorja Salihu në fjalën përfundimtare, trupit gjykues i ka propozuar që Gjokiqi të shpallet fajtorë dhe të dënohet sipas ligjit, duke shtuar se i njëjti asnjëherë nuk është penduar për veprat për të cilat akuzohet.
“Propozoj se duke marruar parasysh të gjitha rrethanat, duke marrë parasysh pasojat që i ka shkaktuar, duke marruar parasysh faktin se Zorani asnjëherë nuk është penduar për veprat e kryera asnjëherë nuk ju kërkoi falje të dëmtuarve asnjëherë para këtij trupi gjykues, nuk shprehu keqardhje, propozoj që të njëjtin ta shpall fajtor ta dënoj sipas ligjit duke marre parasysh pasojat e shkaktimit me veprimet e të akuzuarit Gjokiq”, tha prokuroja Salihu.
Tutje ajo shtoi se gjendja faktike në këtë shqyrtim gjyqësor, është vërtetuar nga dëshmitë e dëshmitareve e veçanërisht nga dëshmia e dëshmitarit L.H.
“Ashtu që deri sa familja e tij deri sa ishin duke hipur në veturë të njëjtit i kanë thënë “ndal ndal” dhe meqenëse nuk janë ndalur, kanë gjuajtur në drejtim të tyre me qëllim që t’i privojnë nga jetë me ç‘rast janë plagosur dy fëmijët e tij”, shtoi Salihu.
Më pas prokurorja Salihu tha se nga gjithë dëshmitë e dëshmitarëve, është vërtetuar se i akuzuari Zoran Gjokiq ka qenë në Kosovë gjatë luftës, të cilën gjë e ka mohuar i akuzuari.
Përfaqësuesi i palëve të dëmtuara, avokati Kujtim Kërveshi para trupit gjykues ka shpalosur një hartë, me të cilën e ka pasqyruar qytetin e Pejës, veçanërisht vendin në të cilën kishin ndodhur këto krime lufte, duke shpjeguar në hollësi, lagjet në të cilat kishin ndodhur këto krime.
“Siç shihet nga harta, familja H dhe familja M., ndahen me një muri, pra janë jashtëzakonisht afër mes vete. Në këtë pikën e kuqe në hartë është goditur vetura e vëllait H., në të cilën kanë qenë dy fëmijë dhe dëshmitari H., ka qenë dëshmitarë okular, e që ndaj tij është shtënë me pushkë automatike nga i pandehuri”, tha avokati Kërveshi.
Ai tutje shtoi se alibia e të akuzuarit i cili ka thënë se ka qenë në Beograd në kohën e bombardimeve është e pavërtetë.
“Trup gjykues, alibia e tij është rren. Së pari e kanë vërtetuar dy kolegët e tij të punës, e sidomos zoti T., të cilin i pandehuri e ka takuar me datën 27 mars një ditë para festës së bajramit, afër kafenesë, dhe kanë biseduar”, shtoi tutje Kërveshi.
Kurse sa i përket kompensimit të dëmit material avokati Kërveshi për dy të dëmtuarit në këtë rast propozoi vlerën prej 100 mijë euro për secilin, duke thënë se këto vlera nuk kanë rëndësi për shkak se ato nuk shpërblejnë asgjë.
Ndërkaq të gjithë të dëmtuarit në këtë rast që ishin të pranishëm në sallën e gjykatës, e kanë përkrahur fjalën e përfaqësuesit të tyre, avokatit Kujtim Kërveshi.
Por mbrojtësi i të akuzuarit avokati Ljubomir Pantoviç, në fjalën përfundimtare të tij i ka kundërshtuar fjalët e prokurorisë dhe avokatit, duke shtuar se kjo aktakuzë nuk bazohet në provat e besueshme.
“Në kundërshtim të plotë me prokurorinë dhe të autorizuarin e palës së dëmtuar, unë them që kjo aktakuzë e cila ka qenë temë e këtij gjykimi, nuk bazohet në provat e besueshme, nuk është e pranueshme dhe për këtë arsye nuk mund të jetë bazë për aktgjykim fajësues”, tha Pantoviç.
Më pas ai shtoi se pesë ditë para caktimit të fjalës përfundimtare, prokuroria kishte bërë zgjerimin dhe ndryshimin e aktakuzës duke thënë se kjo aktakuzë është e re dhe me shumë gabime e mungesa.
“Tani kemi një aktakuzë pa arsyetim për zgjerimin dhe ndryshimin e saj. Prokuroria e ka thënë vetëm dispozitivin e saj dhe tani nuk e kemi bazën për pikën 12 të aktakuzës e cila është në kundërshtim me nenin 241 pik 1.7 të KPK-së, e cila thotë se ajo duhet të përmbajë edhe arsyetimin mbi bazat e ngritjes së aktakuzës dhe provat me të cilat vërtetohen faktet kryesore. Kemi një aktakuzë të re ndërsa arsyetimi ka mbetur nga aktakuza e përpiluar para një viti”, tha Pantoviç.
Kujtojmë se në seancën e datës 15 janar prokuroria kishte bërë ndyshimin dhe zgjerimin e aktakuzës.
“Pasi që gjatë shqyrtimit gjyqësor, provat e shqyrtuara tregojnë se gjendja faktike e paraqitur në aktakuzë është ndryshuar. Në anën tjetër nga administrimi i provave gjatë shqyrtimit gjyqësor është zbuluar se i akuzuari Zoran Gjokiq më 28 mars 1999, ka kryer dhe një vepër tjetër penale, për këtë kam bërë zgjerimin dhe ndryshimin e aktakuzës”, kishte deklaruar prokurorja Salihu.
Ndëra i akuzuari Gjokiq tha se nga fillimi i këtij rasti, Prokuroria është duke përdorur manipulime, përfshirë edhe ato që u thanë sot.
Gjokiq akuzohet nga Prokuroria Speciale se në muajt mars-prill të vitit 1999 në lagjen Kristal të Pejës, si pjesëtar i grupeve kriminale të uniformuar, kishin hyrë dhunshëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe pasi i kanë maltretuar fizikisht dhe psiqikisht, kanë plaçkitur dhe i kishin detyruar banorët të dalin nga shtëpitë e tyre e pastaj edhe i kanë vrarë.
Sipas prokurorisë, Gjokiq akuzohet për veprat penale krime lufte në shkelje të rëndë të Konventës së Gjenevës dhe krime lufte në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar.