Dënohet fabrika e mobileve në Ferizaj, inspektorët hasin në shkelje të të drejtave të punëtorëve

Fusha e ndërtimtarisë nuk është e vetmja ku shkelen të drejtat e punëtorëve.

Një fabrikë e mobileve në rajonin e Ferizajt është denoncuar se ka mungesë të sigurisë dhe pagesën shtesë për punëtorët jashtë orarit.

Në emisionin “Kallxo Përnime” po transmetohet inspektimi i Inspektoratit të Punës në biznese të ndryshme, për të cilat është raportuar për shkelje të të drejtave të punëtorëve dhe sigurisë në punë.

Inspektimi i inspektorëve në terren zgjat rreth 4 orë.

Inspektorët kanë gjetur një varg shkeljesh.

Arton Qerkini nga Inspektorati i Punës ka thënë se sa i përket subjektit të prodhimit, pra mobilerisë, janë gjetur disa shkelje sikur orari i punës dhe puna shtesë.

“Referuar orarit që është i përcaktuar sipas subjektit dhe mosprezantimit të listave të punonjësve për pagesat shtesë konsiderohet dhe vlerësohet si shkelje me ligjin nga marrëdhënia e punës, ndërsa nga siguria në punë ka pasur mosservisim të aparateve për fikjen e zjarrit dhe punëtorët nuk i kanë pasur pajisjet mbrojtëse”, ka thënë Qerkini.

Edhe për këtë biznes do të shqiptohen masa ndëshkimore nga ky institucion.

Për shkelje të ngjashme të të drejtave të punëtorëve mund të raportoni në KALLXO.com.