Dënohet burri që akuzohej se ishte pjesë e ISIS-it

Gjykata në Prishtinë, e ka dënuar me dy vjet burgim me kusht, të akuzuarin për pjesëmarrje në grup terrorist, Nexhat Ademin.

I njëjti nuk ishte deklaruar asnjëherë fajtor për veprën penale e cila i vihej në barrë ndërsa ky rast u gjykua për herë të dytë nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur të mërkurën nga gjyqtari i Departamentit për Krime të Rënda, Vesel Ismajli.

Gjyqtari Vesel Ismajli deklaroi se dënimi me burg ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën verifikuese prej tre vjetësh nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ademi më 17 janar 2014 ka udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj nga Stambolli ka udhëtuar për në qytetin Gazientep të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, e nga aty ka arritur të kalojë në territorin e Sirisë me dashje që t’i bashkohet dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pasi që ka qëndruar një javë në Siri është kthyer në Kosovë.

Duhet theksuar se edhe në mars të vitit të kaluar Gjykata Themelore në Prishtinë, Nexhat Ademin e kishte dënuar me 2 vite burgim me kusht, i njëjti dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afatin kohor prej 3 viteve nuk kryen vepër tjetër penale pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Më pas, këtë çështje penale, Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka kthyer në rigjykim me arsyetimin se ky aktgjykim i gjykatës së shkallës së parë është nxjerrë me shkelje të dispozitave procedurale.

I akuzuari qëndroi një javë në Siri, mbrohet në heshtje në Gjykatë