I akuzuari qëndroi një javë në Siri, mbrohet në heshtje në Gjykatë

Seanca e rigjykimit ndaj Nexhat Ademit, i cili akuzohet për organizmin dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste ka përfunduar sot me dhënien e fjalës përfundimtare nga palët.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Ademi akuzohet se më 17 janar 2014 ka udhëtuar nga Aeroporti i Prishtinës për në Stamboll, e pastaj nga Stambolli ka udhëtuar për në qytetin Gazientep të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, e nga aty ka arritur të kalojë në territorin e Sirisë me dashje që t’i bashkohet dhe të bëhet pjesë e organizatës “Al-Nusra”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri pasi që ka qëndruar një javë në Siri është kthyer në Kosovë.

I akuzuari Ademi, sërish deklaroi se nuk e ndien veten fajtor për veprën penale për të cilën akuzohej.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Valdet Gashi fjalën e tij përfundimtare e kishte përgatitur me shkrim, ndërsa e elaboroi në seancë.

“Pas administrimit të të gjitha provave, prokuroria ka arritur të provoj në tërësi gjendjen faktike të përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës dhe dyshimin e bazuar mirë se në veprimet e të pandehurit Nexhat Ademi, plotësohen të gjitha elementet esenciale të veprës penale organizimi dhe pjesëmarrja në grupin terrorist”, tha prokuroi Gashi.

Më tutje shtoi se, provat e administruara kanë arritur të japin përgjigje të mjaftueshme dhe bindëse se është formuar figura e veprës penale të lartcekur duke provuar dyshimin e bazuar, respektivisht fajësinë e të pandehurit për veprën që i vihet në barrë.

Në fund, ai i propozoi gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë, si dhe ta ngarkoj me shpenzimet e procedurës penale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Nexhat Ademi, avokati Sabedin Cena në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se aktakuza është e paqëndrueshme dhe në tërësi kontradiktore me përmbajtën e saj, si në aspektin juridik poashtu edhe në atë faktik, duke theksuar se prokuroria nuk i ka marrë fare parasysh provat që shkojnë në favor të të pandehurit.

“Nga këto prova nuk vërtetohet se i njëjti i është bashkuar një grupi terrorist apo të ketë marrë pjesë aktivisht në ndonjë veprimtari terroriste. Andaj, konsideroj se kjo aktakuzë është e pabazuar, është kontradiktore, dhe shumica e provave madje shkojnë në favor të të akuzuarit, dhe duke respektuar parimin ‘in dubio – pro reo’, i propozoj gjykatës që këtë aktakuzë ta refuzojë dhe të merr aktgjykim lirues me të cilin i pandehuri Nexhat Ademi lirohet nga të gjitha akuzat”, tha Cena në fund.

I akuzuari Nexhat Ademi, shfrytëzoi të drejtën e mbrojtjes në heshtje.

Shpallja e aktgjykimit u caktua më 19.2.2020, në ora 13:10

Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të vitit të kaluar, Nexhat Ademin e kishte dënuar me 2 vite burgim me kusht, i njëjti dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari në afatin kohor prej 3 viteve nuk kryen vepër tjetër penale pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Ndryshe, këtë çështje penale, Gjykata e Apelit në Prishtinë e ka kthyer në rigjykim me arsyetimin se ky aktgjykim i gjykatës së shkallës së parë është nxjerrë me shkelje të dispozitave procedurale.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pretendon se Nexhat Ademi më 4 mars 2016 ka provuar që përsëri të shkojë në Siri, duke shfrytëzuar rrugën Shkup-Stamboll, mirëpo i njëjti pasi mbërrin në Aeroportin e Stambollit, autoritetet turke e ndalojnë, e pastaj e dëbojnë për shkak të lidhjes së tij me zonën e luftës.