Foto: KALLXO.com

Nuk e pranon fajësinë gjyshi i një nxënëseje i akuzuar se tentoi ta sulmojë Rrahman Jasharajn

Në Gjykatën e Prishtinës sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj personit që dyshohet se tentoi ta sulmojë kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Musli Rexhepi po akuzohet nga Prokuroria se ka kryer veprën penale – cenim i të drejtës në grevë.

Për veprën që i vihet në barrë Rexhepi u deklarua i pafajshëm. “I pafajshëm”- u deklarua Rexhepi.

Në këtë seancë u dëgjua edhe Rrahman Jasharaj në cilësinë e të dëmtuarit.

Jasharaj tha që nga veprimet e të pandehurit në natën kritike është ndjerë i kanosur.

“Po, e kam ndje veten të kanosur, ngase përpos kapjes se dorës ky veprim ka qene i përcjellë  me fjalët ‘tradhtar’”- u shpreh ai.

Tutje Jasharaj në pyetjen e përfaqësuesit të tij se si e kishte ndjerë veten në ato momente, tha që në ato momente ishte ndjerë keq.

“Jam ndjerë tepër keq, aq më shumë se aty kanë qenë mediat dhe çdo gjë është transmetuar” – shtoi tutje kryetari i SBASHK-ut.

Për fund Rrahman Jasharaj tha që uron që të mos ketë ndodhi të tilla në të ardhmen.

“Uroj që gjëra të tilla të mos ndodhin më sepse unë e kam kry edhe do ta kryej detyrën time pavarësisht shantazheve, fyerjeve  edhe sulmeve fizike”- shtoi për fund Jasharaj.

Seanca e radhës në lidhje me këtë rast do të mbahet më 23 nëntor.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari, që është gjyshi i një nxënëseje të një shkolle në Prishtinë, po akuzohet se me qëllim të pengimit të grevës e ka kanosur kryetarin e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“O plak, po na i len fëmijët pa shkollë, kam me të vra” – ishin fjalët që ai po dyshohet se ia ka thënë Rrahman Jasharajt.

Dosja e Prokurorisë që e ka siguruar KALLXO.com thotë se i pandehuri ka tentuar ta sulmojë viktimën  por ishte ndaluar nga të pranishmit.

Sipas Prokurorisë, me këto fjalë i dyshuari ka shkaktuar ndjenjën e pasigurisë tek i dëmtuari, në këtë rast Rrahman Jasharaj.

Për këtë akuzë të Prokurorisë ai është deklaruar i pafajshëm sot në seancën dëgjimore për paraburgimin e kërkuar nga Prokuroria.

Seanca është duke vazhduar në Gjykatën e Prishtinës, derisa i dyshuari për avokat ka marrë Tomë Gashin.

Gjatë një takimi mes grevistëve në shkollën “Ismail Qemali”, Rrahman Jasharaj ishte kanosur nga i dyshuari.