Foto: Arkiv
Dështon seanca ndaj të akuzuarve në rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK
Ka dështuar seanca ndaj Emrush Thaçit dhe Nexhib Shatrit, të cilët po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumentit dhe lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria, në rastin e arratisjes nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Arsyeja e dështimit të kësaj seance është mungesa e anëtares së trupit gjykues, Naime Krasniqi-Jashanica, e cila mungoi për shkaqe shëndetësore si dhe mungesa e dëshmitarëve.
Seanca e radhës u caktua, për datën 5 korrik.
Sipas aktakuzës, Emrush Thaqi në cilësinë e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prishtinë, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke i mundësuar Sami Lushtakut, Sahit Jasharit dhe Ismet Haxhës arratisjen nga Spitali i Prishtinës (QKUK).
Aktakuza thotë se këtë veprim ai e ka bërë me qëllim që të ngritet në detyrë, duke u emëruar drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Tutje thuhet se ai ka dështuar që të sigurojë prani të gardianëve, për t’i mbikëqyrur të pandehurit dhe t’i trajnojë ata që të jenë në gjendje të mbikëqyrin të burgosur të sigurisë së lartë.
Thaçi akuzohet gjithashtu se ka dështuar të ndërtojë një sistem ku parandalohen vizitat nga jashtë për të pandehurit dhe ka dështuar gjithashtu që t’u japë urdhra oficerëve të tij, që të bashkëpunojnë me oficerë të policisë të cilët kishin ardhur në vendin e krimit.
Pas kësaj ngjarjeje, Thaçi ishte emëruar drejtor i Shërbimit Korrektues, prej nga kishte pasur mundësi më të mëdha për t’i ndihmuar grupit të të akuzuarve në krye me ish kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtakun.
Ndërsa i akuzuari Nexhib Shatri, thuhet se duke vepruar nga data 2 janar 2014 e tutje, në pozitën e personit zyrtar, si mjek në QKUK, ka lëshuar raporte të rreme mjekësore, duke kërkuar ekzaminime mjekësore për të paraburgosurin Sami Lushtaku, dhe duke paraqitur kështu gjendje të rrejshme mjekësore, për të mundësuar transfere të rregullta të tij në spital.
Kështu thuhet se, i ka ndihmuar Lushtakut, për të gëzuar masa më pak kufizuese, ashtu që pastaj Lushtaku është arratisur.
Me këto veprime thuhet se Shatri ka keqpërdorur pozitën zyrtare, ka kryer veprën penale falsifikim i dokumentit dhe veprën lehtësim i arratisjes së personave të privuar nga liria.
Shatri po ashtu akuzohet se me 23 korrik 2016, duke vepruar në cilësinë e personit zyrtar, si mjek në Qendrën e Paraburgimit ne Dubravë, ka tejkaluar autorizimet e veta, duke mundësuar transferimin e të paraburgosurit Shkëlqim Latifaj në ditën e ardhjes së tij nga Dubrava, nga blloku nr.8 në repartin e spitalit në Dubravë.
Me këtë thuhet se i ka mundësuar të njëjtit, përfitim në formë të gëzimit të kushteve më pak kufizuese.