Demir Limaj heq dorë nga pozita e drejtorit, bëhet këshilltar në Telekom

Demir Limaj ka hequr dorë nga pozita e drejtorit të shitjes në Telekomin e Kosovës.

Ai për KALLXO.com tha se në ndërmarrjen publike do ta vazhdojë me një punë sekondare, si këshilltar në zyrën e kryeshefit.

“Mua nuk ma lejon kredibiliteti moral dhe profesional si akademik që t’i mbaj dy pozita të larta shtetërore dhe unë e kam zgjedhur rrugën që ta mbajë pozitën e profesorit kurse punën në Telekom e mbaj si punë sekondare, si këshilltar i zyrës së kryeshefit të Telekomit. Prej 1 nëntorit kam filluar punën si këshilltar”, tha Limaj.

KALLXO.com sot ekskluzivisht kishte raportuar për vendimin e Agjencisë Kundër Korrupsion që kishte vlerësuar se nuk ekziston konflikt interesi në faktin se Limaj mban pozitën e profesorit në universitet dhe të drejtorit në ndërmarrje publike.

Telekomi i Kosovës ndërpret mbi 80 kontrata mbi vepër

Limaj tha se edhe pse ligji ia lejon mbajtjen e dy pozitave dhe marrjen e dy pagave primare, ai më 1 nëntor kishte vendosur që të marrë pagë primare nga universiteti.

Sipas tij, edhe pse do të vazhdojë të marrë dy paga, njëra tani do të jetë më e ulët.

“Ka dallim të madh në pagë sepse në Telekom e kam zgjedhur pagën sekondare kurse pagën primare e kam në universitet publik. Është punë sekondare që e njeh ligji. Vendimin e kam marrë edhe ma herët se ka qenë qëndrim ma herët. Nuk ma lejon integriteti që t’i mbaj dy pozita”, tha ai.

Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ishte pranuar profesor asistent në Universitetin publik të Prizrenit, në korrik të këtij viti. Ndërkaq, në ndërmarrjen publike ai punon që nga viti 2002.

Në tetor, Limaj kishte thënë se do ta respektojë vendimin e AKK-së dhe nëse i duhet të zgjedhë do ta zgjedhë pozitën në universitet.