Telekomi i Kosovës ndërpret mbi 80 kontrata mbi vepër

Telekomi i Kosovës i ka ndërprerë mbi 80 kontrata mbi vepër.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi.

“Mbi 80 kontrata mbi vepër janë ndërprerë”, ka deklaruar Istrefi.

Istrefi ka thënë se që nga muaji korrik dhe gusht të gjitha kontratat mbi vepër të cilat kanë skaduar nuk janë vazhduar.

“Ata i kemi marrë në punë me një projekt për shitjen e mbushjeve gërvishtëse. Ai ka përfunduar si projekt por ka vazhdu më tepër se që e kemi planifiku edhe kemi thënë që po i marrim në punë me kohë të caktuar dhe me detyra specifike”, ka thënë kryeshefi Istrefi.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se gjatë vitit 2018 në Telekomin e Kosovës janë punësuar 178 persona për punë dhe detyra specifike pa shpallur fare konkurs publik.

Sipas Ligjit të punës kërkohet që “Punëdhënësi në sektorin publik, është i obliguar që të shpall konkurs publik sa herë që pranon një punëmarrës dhe themelon një marrëdhënie të punës”.

Arsyeja e angazhimeve të tilla ishte se kompania, nuk e kishte konsideruar si të nevojshme shpalljen e konkursit publik për angazhimin e punonjësve për punë dhe detyra specifike.

Po ashtu, Auditori ka gjetur se në Telekomin e Kosovës kanë ndodhur 296 lëvizje të stafit prej njërës pozitë ose gradë në një pozitë ose gradë tjetër. Këto gradime që kryesisht ishin avancime, sipas Auditorit ishin bërë pa ndonjë kriter.

“Ne kemi rishikuar listën e lëvizjes së stafit dhe nuk kemi gjetur argumente se cili kriter është përdorur në lëvizjet e stafit p.sh. prej gradës 5 në gradën 14, prej 7 në gradën 15, prej gradës 9 në gradën 12, prej gradës 10 në 14, prej gradës 10 në gradën 15”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

Sipas Auditorit, kjo ka ndodhur si shkak i mungesës së kritereve të qarta dhe të përcaktuara për lëvizjet e stafit në Politiken e seleksionimit dhe rekrutimit.

Një gjetje tjetër e Auditorit ishte se Telekomi i Kosovës ka angazhuar 65 të punësuar për punë dhe detyra specifike duke mos respektuar afatin e përcaktuar me ligj.

Në Ligjin e punës thuhet se “Kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se njëqindenjëzet (120) ditë brenda një (1) viti”.

Me gjithë problemet e mëdha financiare, Telekomi i Kosovës gjatë qeverisjes Haradinaj është mbipopulluar me punëtorë e staf të ri.

Në një dokument ekskluziv, të cilin e kishte siguruar KALLXO.com, dëshmohet se nga shkurti 2018 deri në shkurtin e vitit 2019 në këtë ndërmarrje është rritur numri i punëtorëve për 234 persona.

Ndërmarrja ka të punësuar hiç më pak se 121 persona në Departamentin e Marketingut.