Prokuroria: Jemi afër përfundimit të hetimeve për kontratën Paykos - Telekom

Prokuroria e Prishtinës ka njoftuar se është në përfundim të hetimeve të nisura për rastin e kontratës së lidhur në mes të Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos” dhe se ky rast nuk ka rrezik të parashkruhet. Përfundimi i hetimeve po bëhet gati 2 vjet e gjysmë pas dorëzimit të kallëzimit penal nga ana e Telekomit të Kosovës.

“Lënda është duke u trajtuar me prioritet dhe është në fazën e fundit për t’i dhënë epilogun përfundimtar” – thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për KALLXO.com.

Në ndërkohë kontrata është duke u trajtuar edhe në Arbitrazhin Ndërkombëtar pasi është dërguar nga ana e kompanisë “Paykos” në vitin 2021, pas shkëputjes së njëanshme të kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës.

Po ashtu, Prokuroria ka njoftuar se më 29 mars 2023 ka pranuar riekspertizën dhe se brenda 20 ditëve kanë njoftuar palët në procedurë për pranimin e saj.

Vetëm koordinimi me Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë brenda Kosovës, i ka marrë kohë 8 ditë Prokurorisë së Prishtinës. Sipas tyre kjo ka ndodhur për shkak të kërkesës për sqarime se në çfarë mënyre duhet të dërgohet ekspertiza financiare në Shqipëri, direkt nga Prokuroria apo përmes Ministrisë së Drejtësisë.

“Deri në momentin e marrëveshjes (koordinimi) me Departamentin për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar që lënda të shkojë përmes Ministrisë së Drejtësisë. (Marrë parasysh praktikën e mëhershme, ku jemi njoftuar nga Ministria e Drejtësisë se në një rast kërkesa për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar përmes Ministrisë së Drejtësisë është refuzuar dhe është kërkuar të bëhet drejtpërdrejtë nga Institucioni)” – thuhet në sqarimin e Prokurorisë për KALLXO.com.

Prokuroria është përgjigjur në pytjet nëse rasti është duke u zhagitur qëllimisht që të sigurohet parashkrimi si dhe nëse ka dyshime për pranim të ryshfetit apo favoreve tjera për këtë punë. 

“Të gjithë ata persona të cilët kanë informata dhe prova mbi dyshimet se kompania në fjalë ka ofruar favore personave të caktuar, iu bëjmë thirrje të bashkëpunojnë me organet e hetuesisë” – ka deklaruar Prokuroria për KALLXO.com.

Lidhur me rastet tjera që lidhen me Paykos, Prokuroria ka thënë për KALLXO.com se ka pranuar edhe një kallëzim tjetër penal, kundër një personi tjetër, dhe koha e kryerjes së veprës penale është e ndryshme. 

“Pra, kallëzimi penal i fundit lidhur me këtë çështje ka ardhur më vonë në Prokurori, nga ai të cilin ka qenë duke e trajtuar prokurori i rastit” – përfundon përgjigja e Prokurorisë për KALLXO.com.

Kontrata për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala”, të nënshkruar mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”, është në duart e Policisë dhe Prokurorisë që nga muaji qershor i vitit 2020 kur Telekomi i Kosovës kishte dorëzuar për herë të parë një kallëzim penal.

Telekomi i Kosovës i kishte dërguar edhe një herë gjitha pretendimet e tyre në Policinë e Kosovës duke thënë se dëmi nga kjo kontratë mund të shkojë deri në 5.4 milionë euro. 

Në dokumentin e dërguar te Policia e Kosovës nga ud.kryeshefja e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, në muajin gusht të vitit 2022, ajo ka ngritur shqetësimin për zvarritjen e këtij procesi në Polici e Prokurori. 

Gjetjet e parregullësive të kësaj kontrate nga Zyra e Auditorit kanë bërë që menaxhmenti i Telekomit të Kosovës, në qershor të vitit 2021 ta njoftojë kompaninë “Paykos” për mosvazhdim të Memorandumit për Mirëkuptim të vitit 2016, për shkak se ishte në kundërshtim me kontratën e nënshkruar në vitin 2015. 

Pas shkëputjes së kontratës, në qershor të vitit 2022, Telekomi i Kosovës është njoftuar se kompania “Paykos” e ka dërguar atë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar. KALLXO.com ka marrë vesh nga burime brenda Telekomit se “Paykos” po kërkon dëmshpërblim në vlerë 800 mijë euro nga Telekomi i Kosovës. 

Për t’u mbrojtur në Arbitrazh ndaj kompanisë “Paykos”, Telekomi i Kosovës ka angazhuar studion ligjore “Baker McKenzie” me bazë në Vienë, me një kontratë në vlerë 225 mijë euro.

Fillet e kontratës dhe dëmet e pretenduara nga Telekomi

Më 16 mars të vitit 2015, Telekomi i Kosovës kishte nënshkruar një marrëveshje për shitjen e produkteve të Valës me kompaninë “Paykos”. Nga viti 2015 deri në vitin 2017, sipas dokumentit që menaxhmenti i Telekomit të Kosovës e ka dorëzuar në Krime Ekonomike, janë nënshkruar edhe 4 aneks-kontrata një memorandum dhe një marrëveshje komerciale, kurse në periudhën pas vitit 2017 e deri në shkëputje të kontratës janë nënshkruar 5 aneks-kontrata të tjera, pra në përgjithësi janë nënshkruar 9 aneks-kontrata, një memorandum dhe një marrëveshje komerciale. 

Nga viti 2015 deri në vitin 2017, kryshef i Telekomit ka qenë Agron Mustafa, ndërsa anëtarë të bordit kanë qenë: Rexhë Gjonbalaj, Afrim Loku, Bislim Zogaj, Gani Sylaj, Naim Hyseni, Suzana Andjelkovic. Kurse, nga shkurti i vitit 2019 deri në prill të vitit 2020 kryshef ka qenë Bedri Istrefi, ndërsa anëtarë të bordit të emëruar nga marsi i vitit 2018 deri në shkurt të vitit 2020 ishin Besa Shatri, Skender Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Fidel Krasniqi (i zëvendësuar nga Shkëlzen Ibrahimi), Suzana Andjelkovic. Për një kohë në vitin 2020, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës ka qenë Zeqir Kiqina.

Në marrëveshjen e parë parashihej që produktet e Valës të shiteshin me çmim të njëjtë si në pikat e Telekomit të Kosovës. Një mbushje elektronike në vlerë 1 euro mund të blihej 1 euro, njëjtë edhe për mbushjet e tjera me vlera më të mëdha. Në këtë kontratë, “Paykos” do të përfitonte një provizion prej 9.7 për qind, provizion më i lartë se ai që fitonte Posta e Kosovës nga një marrëveshje e nënshkruar në kohën e ndarjes së PTK-së.

“Paykos” ka qenë e obliguar me kontratë që të shtrijë rrjetin e saj nëpër 2 mijë pika nëpër të gjithë territorin e Kosovës. Ndërsa të gjitha këto pika është dashur të kenë shërbime online (kredi elektronike) jo më shumë se një vit që nga data e nënshkrimit të kësaj kontrate.

Sipas pikës 7 të kontratës bazë, kontrata ishte e vlefshme për 4 vjet, me mundësi vazhdimi edhe për vite të tjera. Pas nënshkrimit të kontratës në mars të vitit 2015, deri në vitin 2020 janë nënshkruar edhe 9 anekse të tjera, një marrëveshje komerciale dhe një memorandum.

Në dokumentin që Kryeshefja e Telekomit Burbuqe Hana kishte dorëzuar në Polici me 28 gusht 2022, thuhet se dëmi më i madh ndaj kësaj ndërmarrje është shkaktuar nga Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar në mars të vitit 2016 mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë “Paykos”. 

Në këtë dokument, Telekomi pretendon se mënyra se si ky Memorandum parasheh përllogaritjen e provizoneve ka ndryshuar esencialisht të gjitha llojet e provizioneve, duke i ngritur përqindjet e provizioneve në dëm të Telekomit të Kosovës për 18%.

“Vetëm ndryshimi i provizioneve bazë prej 9.7% i ka sjellë dëme Telekomit të Kosovës nga rreth 30 mijë euro për çdo 1.7 milion euro blerje që janë bërë nga “Paykos”, pra çdo muaj që nga viti 2015 Telekomi është dëmtuar nga rreth 30 mijë euro çdo muaj nga efekti i këtij Memorandumi. E njëjta ka ndodhur edhe për normat e tjera të provizioneve” – thuhet më tej në dokument.

Sipas llogaritjeve të Telekomit të Kosovës, dëmi i shkaktuar ndaj kësaj ndërmarrje nga ky Memorandum, nga viti 2015 e deri në maj të vitit 2021, kapin vlerën e 2.5 milionë eurove.

Në ditën e njëjtë me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, në mars të vitit 2016 ishte nënshkruar edhe një aneks-kontratë. Sipas kësaj aneks-kontrate, Telekomi i Kosovës i shiste kompanisë “Paykos” mbushje telefonike (kartela gërrithëse) të shumave 40 dhe 50 euro, me normë provizioni prej 30%, e që sipas Memorandumit llogaritej 35.4%.

“Arsyeja e shitjes me këtë normë provizioni ishte se gjoja bëhet fjalë për kartela gërrithëse të vjetra. Një arsye e tillë normalisht që nuk ka asnjë mbështetje financiare, sepse edhe sikur këto kartela të ishin të vjetra dhe të dëmtuara, vlera blerëse e tyre ka qenë minimale dhe në vend që të shiteshin me normë 35.4% ka mundur të asgjësohen dhe dëmi i vetëm i Telekomit do të ishte vlera blerëse e tyre sillet që sillet rreth disa mijëra euro (1,500 euro) e jo të shiten me provizion me vlerë qindra e mijëra euro” – theksohet në dokumentin e dorëzuar nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës në Departamentit për Krime Ekonomike.

Më 30 korrik të vitit 2019, vetëm dy ditë para se të ekzekutoheshin pagat e muajit korrik, Telekomi i Kosovës e kishte nënshkruar një aneks-kontratë me kompaninë ‘Paykos’ për shitjen e mbushjeve (kredive) të operatorit ‘Vala’. 

Telekomi kishte pranuar që t’i shes për 30 për qind më lirë ‘impulsat’ me qëllim që të pranojë pagesën në avancë në vlerë prej 1.5 milionë euro, të nesërmen më 31 korrik.

Dy ditë më vonë, më 1 gusht 2019, ishte nënshkruar një aneks tjetër që parashihte vazhdimin e kontratës edhe për dy vite të tjera. Sipas ankes-kontratës së 8-të, kontrata ishte e vlefshme deri më 1 janar të vitit 2023, ndërsa sipas aneks-kontratës së nënshkruar më 1 gusht të vitit 2019, kontrata ishte përcaktuar të vlente deri më 1 janar të vitit 2025.

Ky aneks parashihte që në rast të ndërprerjes së kontratës nga Telekomi, atëherë Telekomi obligohej të paguante dëm Paykosit në vlerën 30% të shitjeve mesatare që janë bërë përmes Paykosit në tri vitet e fundit.

“Shitja vjetore e Telekomit përmes Paykosit llogaritet rreth 18 milionë euro, pra i bie që Telekomi të paguajë Paykosin 30% të 18 milionë eurove apo rreth 5.5 milionë euro” – thuhet në dokumentin e dorëzuar në Krime Ekonomike nga Telekomi i Kosovës.

Dhe sipas tyre, në nenin 8.3.4 të kontratës së vitit 2015, kompensimi nga Telekomi i Kosovës në rast të shkëputjes së njëanshme të kontratës nga Telekomi i Kosovës, parashihej të mos kalonte vlerën prej 1.5 milion euro.

“Pra, ky aneks përveç që zgjat periudhën e obligimeve kontraktuale për Telekomin parasheh edhe trefishimin e kompensimit nëse e ndërpren kontratën” – vazhdon dokumenti i dorëzuar në Krime Ekonomike nga Telekomi i Kosovës.

Derisa para shkëputjes përfundimtare të kontratës nga ana e Telekomit të Kosovës, aneks-kontrata e fundit ishte nënshkruar më 4 dhjetor të vitit 2020.

“Paykos” është regjistruar në Kosovë si biznes më 1 dhjetor 2014, rreth tre muaj para nënshkrimit të kontratës me Telekomin e Kosovës.

“Paykos” kur kishte hyrë në partneritet me Telekomin e Kosovës në vitin 2015 nuk kishte hyrë si e vetme. Ajo kishte hyrë në partneritet me atëherë kompaninë britaniko – irlandeze “Payzone”.

“Payzone” ka qenë edhe partner teknologjik i “Paykos”. Për distribuimin e shërbimeve të Valës edhe nëpër zonat më të thella të Kosovës, “Paykos” kishte edhe partnerë të tjerë.  “Tobacco Sh.P.K”, e cila merret me shpërndarjen e duhanit ka qenë partnere e “Paykos” për rajonin e Prizrenit, ku hyjnë edhe Suhareka dhe Rahoveci. 

Po ashtu edhe pikat e UFP – Western Union, Moneta – Moneygram, Vllesa-Co etj. 

Partner tjetër i distribuimit për “Paykos” ka qenë edhe kompania “Gekos”, njëra prej kompanive të licencuara nga Agjencia Tatimore e Kosovës për arkat fiskale.

Më shumë se dy vjet nga dorëzimi i kallëzimit penal, Prokuroria pa rezultate për kontratën Paykos – Telekom