Punësimet partiake – Murati dhe Lushtaku përplasen në Komision

Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, janë përplasur sot në Komisionin për buxhet, punë dhe transfere. Shkak u bënë punësimet partiake nëpër ndërmarrje publike.

I gjithë debati nisi kur ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se numri i punëtorëve në “Telekom” është zvogëluar, duke thënë se synimi është që ndërmarrjet publike të kthehen në fitimprurëse e mos të operojnë me humbje.

“Sa i përket Ndërmarrjeve Publike, e kemi gjetë një gjendje jo të mirë, ku pagat janë të larta dhe ato operojnë me humbje, një pjesë e madhe e NP-ve nuk mund t’i sigurojnë as mjetet për pagat e tyre dhe kanë qenë të subvencionuara nga shteti. Ne i kemi mbështet, qoftë me mirëmenaxhim, duke përzgjedh borde të reja profesioniste e me kryeshef ekzekutiv e po ashtu duke u dalë në ndihmë në rikonstruktimin e tyre” – tha Murati para deputetëve.

“Duhet ta them një gjë, që mund të jemi, me siguri jemi, por mund ta konfirmojmë, që jemi Qeveria e vetme gjatë mandatit të së cilës, numri i të punësuarve në Telekom është zvogëluar. Synimi është qe Ndërmarrjet të kthehen në kontribuues të buxhetit e jo në rëndesë për buxhet siç kanë qenë ashtu kur i kemi marrë” – vlerësoi ai.

Por, me këto konstatime nuk u pajtua deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai tha se parimet, kritikat dhe premtimet nga partia që udhëheq me pushtetin, Lëvizja Vetëvendosje, janë harruar.

Ai përmendi disa institucione publike, ku sipas tij, LVV ka vendosur personat e tyre.

“Ju e keni zhdukë dialogun social, ju si parti komuniste, ne e përfaqësojmë popullin, s’ka nevojë më me folë me popullin, ju jeni vetë populli, ju jeni vetë jeni pushtetarët…” – tha deputeti i PDK-së.

“Ju po thuani militantët i kanë rehatu, por kritikat më të mëdha duhet me ia bë vetvetes, RTK-në e keni kapë, e keni kapë “Ibër-Lepenci”-n i keni kap bordet, familjarët e juaj i keni punësu. Jeni zhduk prej parimeve që keni pas ose nuk keni pas kurrë parime keni luftu veç për karrige” – kritikoi Lushtaku në fjalën e tij.

Ditëve të fundit pati reagime për emërimin e Rilind Gërvallës, financuesit të Lëvizjes Vetëvendosje si drejtor i kanaleve në gjuhën shqipe RTK 1, 3 dhe 4. LDK vendosi t’i bojkotojë emisionet në RTK ndërsa

Më 31 janar, Partia Socialdemorkate zhvilloi një aksion simbolik gjatë transmetimit të lajmeve të mbrëmjes në Radiotelevizionin e Kosovës. Me një pankartë në duar ku shkruante “Radio Televizioni i Kurtit” është paraqitur mbrapa moderatores së lajmeve njëri nga aktivistët e PSD-së.

Në mbledhjet e sotme të Komisionit për buxhet, punë dhe transfere, me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, u miratua plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për ndarjet buxhetore që përfshin edhe koeficientin për paga.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku, nuk ka votuar për këtë projektligj ndërsa deputetët Pal Lekaj nga AAK dhe Avduallah Hoti nga LDK që janë anëtarë të këtij komisioni, sot nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhje.

Para deputetëve në Komision, këtë projektligj e ka propozuar ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Fatmirësisht gjatë vitit 2022 kemi pasur rritje pozitive ekonomike dhe është inkorporu në buxhetin e kostos për pagat. Ne kemi paraparë që për vitin 2024 te rritet koeficienti ne 110 euro.Ky është neni kryesor që parasheh shtimin e vlerës së koeficientit. Me nenin 5 dhe 6 është paraprë fleksibiliteti që Ministrisë së Financave ti jepet mundësia të bëj transferim nga një organizatë buxhetore në tjetrën” – deklaroi Hekuran Murati para deputetëve të Komisionit.

Ministri Murati po ashtu tha se paga mesatare bruto për vitin 2022 ka qenë 620 euro dhe tani pritet të jetë 730 euro bruto.

“Dhe si përqindje është më e lartë sepse numri ka shku duke u zvogëluar” – është përgjigjur Murati.

Më 1 shkurt 2022, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës është bërë prezantimi i vlerës monetare të koeficientit. Vlera e tij për vitin 2023 do të jetë 105 euro ndërsa në vitin 2023 sipas Qeverisë së Kosovës do të jetë 110 euro. Ndaj vlerës së koeficientit ka pasur pakënaqësi nga sektorë të ndryshëm.

Ligji për paga në sektorin publik më 22 dhjetor 2022 është miratuar në Kuvendin e Kosovës me shumicë të votave. Më 5 janar 2023 është dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe i njëjti pritet të hyjë në fuqi më 5 shkurt 2023.